Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja tragjike e ndodhur mesditën e kësaj të enjtje në zonën e Laknasit në Kamëz, ku pas një debati mes fqinjëve u vra një prej tyre, dhe u plagos një tjetër.
Sipas burimeve raportohet se 70-vjeçari Maliq Marku i cili është autori i krimit, ishte me origjinë nga Dibra, dhe para 1 jave ishte kthyer në Shqipëri pasi ndodhej jashtë shtetit, ndërkohë viktima Shefqet Hasa dhe i plagosuri Besim Keça ishin të dy me origjinë nga Hasi.
Shkak i sherrit është bërë kanali i ujërave të zeza, për ndërtimin e të cilit të gjithë banorët e lagjes kishin mbledhur para, vetëm Maliq Marku nuk kishte kontribuuar pasi nuk ndodhej në Shqipëri.
Pas kthimit nga Anglia, ka shkuar tek ujësjellësi për të lidhur edhe banesën e tij me kanalin.
Ujësjellësi ka bërë piketimin, ndërsa 2 fqinjët sot i kanë thënë që nuk do ta ndërtonte. Në gjaknxehtësi e sipër ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar. 4 plumba ka marrë viktima Shefqet Hasa, ndërsa 2 plumba, 1 në bark e 1 në këmbë i plagosuri.
Në momentin e të shtënave, në afërsi të zonës ka qenë SPZ, i cili e ka dëgjuar dhe më pas është afruar dhe ka gjetur personin e plagosur duke vrapuar, e ka vendosur me makinë. Më tutje ka gjetur të vdekur Shefqet Hasën.
Ka hyrë në banesë dhe brenda autori Maliq Marku fillimisht ka bërë rezistencë për t’u dorëzuar, por pas negociatave ka hedhur armën në bahçe dhe më pas i kanë vënë prangat. Në deklarimet e para ka thënë se e vrava për punë kanali.