Vrasja e Klevis Kapllanit në muajin Shtator 2020 në Rrogozhinë, është kryer në momentin teksa 33-vjeçari po fliste në aplikacionin “SKY” me të kërkuarin e asaj kohe, Nuredin Dumani.
Pikërisht në momentin kur është vrarë, Kapllani po shkonte deri në shtëpi, pasi Dumani e kishte urdhëruar t’i mbante një makinë në banesë, makinë të cilën po e çonin në Sinaballaj të Rrogozhinës, Enver Diva dhe Besian Xhixha. Makina do përdorej për të goditur në atentat Dine Çamin dhe Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.
Por me sa duket, teksa Dumani fliste në “Sky” me mikun e tij Klevis Kapllani për ti mbajtur makinën në oborrin e shtëpisë, nga ana tjetër grupi rival po atë ditë kishte vendosur të vriste Klevis Kapllanin.
Në dëshminë e tij të treguar dy vjet pas kësaj ngjarje të rëndë, Nuredin Dumani ka treguar se:
”…gjatë kohës që Klevis Kapllani ishte te lokali i Nel Godinit dhe unë po komunikoja me të nëpërmjet aplikacionit “Sky” ai i shqësuar më dërgoi foton e vëllait të Seit Manhasës, të cilin e kishtë parë disa herë atë ditë të hynte dhe dilte te rrugica pranë lokalit, madje kishte hyre edhe në lokal…”.
Sipas tij prania e vëllait të Seit Manahasës në terenin ku ndodhej dhe Klevis Kapllani, tregon se 33-vjeçari ka qënë në ndjekje e sipër deri në momentin e vrasjes në orët e vona të natës, vetëm 200 metra larg banesës së tij në fshatin Sinaballaj.
Dumani tregon se lajmin për vrasjen e Klevis Kapllanit e ka marë nga Enver Diva dhe Besian Xhixha, të cilët po shkonin në banesën e viktimës për të lënë makinën që do përdorej në atentat ndaj Dine Çamit dhe Bujar Çelës.
Diva dhe Xhixha gjetën të pajetë në makinën “Fiat Punto”, Klevis Kapllanin, i cili ishte personi që kishte fshehur armën “TT” në servisin e Manahasëve, armë kjo me të cilën është vrarë Emiljano Ramazani.
“…shkova aty dhe e pash nga larg që Klevisi ishte vrarë, nuk doja ta besoja se ishte vrarë, sepse në kokën time mendoja se ai ishte personi i fundit që do ta vrisin për të më dëmtuar mua, pasi ai nuk ka qenë i implikuar në ngjarjet që ne kemi marrë pjesë, përveç dërgimit të armës te servisi i Manahasëve”.
Më tej Nuredin Dumani ka treguar para oficerëve të BKH-së dhe prokurorëve të SPAK,se:
”…një ditë para se të vritej Klevis Kapllani, unë bashkë me Enver Divën, Besian Xhixhën dhe Klevis Kapllanin, kemi drekuar buzë plazhit në Vilëbashtovës. Atë ditë i kërkova Klevisit, që të më mbante te shtëpia e tij një makinë për dy ose tre ditë, por nuk i tregova se për çfarë e doja atë makinë. Faktikisht unë e doja pasi bashkë me Erjon Alibej, kishim diskutuar të vrisnim Dine Çamin dhe Bujar Çelën…”.
Ndërsa ditën kur është vrarë Klevisi Dumani ka biseduar nëpërmjet aplikacionit “Sky”, duke i thënë Kapllanit se sonte në darkë do të sjell një makinë. Makinën po e çonin Enver Diva dhe Bes Xhixha, me të cilët ai komunikonte dhe i orientonte vazhdimisht me aplikacionin “Sky”.
“…unë vetë në atë kohë qëndroja në Elbasan në një lagje pranë një parku të madh dhe një shkolle. Qëndroja në katin e 5 të një pallati të markata e fruta perimeve me pakicë. Në këtë godinë kisha një apartament për të cilin pagesa ndaj ndërtuesit ishte paguar nga Erjon Alibej në shumën prej 98.000 Euro, bashkë me dy garazhe të përbashkëta (të pa ndarë me mure). Këtë pagesë unë do ia shlyeja Erjonit në vijim nëpërmjet punëve të përbashkëta që do të kisha me të. S’qaroj se, migjëthëse është kryer pagesa për apartamenti dhe garazhet, ato janë akoma në emër të ndërtuesit i cili e ka emrin Sajmir, mbiemrin nuk ia di…”- ka treguar Nuredin Dumani.
Vetëm pak orë para se të vritej Klevis Kapllani, rreth orës 20:01 ose 21:01 e darkës, Dumani informohet nga Besian Xhixha dhe Enver Diva se ishin diku në afërsi të Kavajës dhe se po sillnin makinën që ishte e vjedhur dhe që e kishin marrë nga Soni Reçi.
Benzi ka patur targa serbe, por Soni Reçi i kërkonte 7000 Euro. Unë nuk kam patur ndonjë marrdhënie me Reçin dhe nuk e bleva makinën. E mora e përdora dhe ia ktheva sërisht, duke mos e përdorur në asnjë ngjarje.
“…unë i shkruajta Klevis Kapllanit të cilin e pyeta se ku ndodhej?
Ai më tha se:”…ishte bashkë me disa persona të tjerë duke pirë dhe lozur domino te lokali i Nel Godinit në Sinaballaj.
I thashë: ”…nisu shko te shtëpia se po vijnë çunat (Besi dhe Enveri) po sjellin makinën.
Ai më tha: Po, direkt….
Disa minuta më pas më tha: Tani jam këtu te kthesa ku futesh te lagjja (rruga afër shtëpisë aty ku është gjetur i vrarë).
Unë i thashë: Ok….
Nga ana tjetër Nuredin Dumani i shkruajti Besit dhe Enverit duke i thënë se:”…Klevisi po ju pret te shtepia…”.
Më tej Dumani ka treguar për oficerët se: ”…i shkruaja më pas Klevisit por nuk më përgjigjej. Pas pak minutash Enveri, më dërgoi mesazh zanorë duke më thënë se:”…Klevisin e kishin gjetur të vrarë në makinën e tij “Fiat Punto…”. Menjëherë pasi mora këtë lajm zbrita poshtë pasi aty kisha një audi A-6 ngjyrë e zezë me portobagazh dhe u nisa në drejtim të vendit ku ishte vrarë Klevisi, pasi isha shumë i shqetësuar. Kur shkova atje, Enveri dhe Besiani, kishin ikur. Shkova aty dhe e pash nga larg që Klevisi ishte vrarë. Nuk doja ta besoja se ishte vrarë, sepse në kokën time mendoja se ai ishte personi i fundit që do ta vrisin për të më dëmtuar mua. Pasi ai nuk ka qenë i implikuar në ngjarjet që ne kemi marrë pjesë, përveç dërgimit të armës te servisi i Manahasëve. Më pas ika deri në Rrogozhinë dhe u ktheva për në Elbasan”.