Mjeshtri i madh i humorit, Zef Deda, u shua paraditen e së premtes, duke lënë pas veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme.
Kryeqendra e veriut humbi një emër të madh të artit, që prej dekadash dhuroi të qeshura te publiku shqiptar përmes humorit të tij të përjetësuar në memorien e çdo shqiptari. Ai dha frymën e fundit në moshën 73-vjeçare, në qytetin e lindjes, pas një sëmundjeje të rëndë, që e mundonte prej kohësh.
Pas ndarjes së tij nga jeta, i biri, aktori Julian Deda, ka bërë një dedikim mjaft prekës për aktorin e njohur, i cili sigurisht do i mungojë familjes por emri i tij do mbetet përgjithmonë në artin shqiptar.
Teksa ka publikuar një fotografi, ku ecin përkrah njëri-tjetrit, Juliani ka shkruar:
“Ecja e fundit bashkë…! Bab, direkt më mori malli.
Më mori malli për zërin tënd, për batutat e tua, për veprimet e tua, për shikimin tënd, për këshillat e tua, për energjinë tënde, për pozitivitetin tënd, për përqafimin tënd, më mori malli për ty.
Ahh, çfarë Babai, çfarë figure, çfarë talenti, çfarë personaliteti, çfarë njeriu. Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim madhështinë e këtij njeriu, por dje dhe sot, vërtetova se Zef Deda përfundimisht nuk ishte vetëm i familjes tonë, por ishte pjesë e cdo familje shqiptare.
Nuk gjej dot fjalët për të shprehur mirënjohjen ndaj secilit prej jush. Jam i emocionuar për respektin që ju treguat për Zefin si njeri dhe si artist. Faleminderit ju, publik i dashur, për çdo fjalë të mirë, çdo status në rrjete sociale, për çdo foto të shpërndarë, çdo sms të dërguar, çdo lot, çdo shtrëngim duarsh dhe çdo përqafim, duke shprehur me të gjitha mënyrat respektin për figuren e tij dhe dhimbjen për largimin nga kjo botë. Faleminderit të gjitha televizioneve dhe mediave, për çdo lajm dhe kronikë ku vlerësohet kontributi i tij artistik dhe jo vetëm, faleminderit personaliteteve politike, sportive, fetare dhe intelektualeve të këtij vendi, që e vlerësuan Zef Dedën në gjithë dimensionin e tij, faleminderit shqiptarëve që morën rrugën nga çdo cep i vendit dhe jashtë tij për të ardhur në Shkodër e për të na lehtësuar dhimbjen. Mirënjohje!
Babush, unë besoj se ti ke parë gjithçka që ndodhi dje dhe sot, e pe respektin e një populli të tërë për ty, jam i bindur se ishe aty, ta di tipin, nuk ikën kollaj ti, madje nuk ikën kurrë.
Ti, z. Unik, je i përjetshëm, sepse njerezit vdesin kur harrohen dhe ti s’ke për t’u harruar në jetë të jetëve.
Zemra ime, nuk e ke idenë sa të dua. Por pa merak, do flasim çdo natë, do më pyesësh për tekstin e javës dhe une do raportoj si studenti yt i përjetshem, pastaj do dalim dhe do ecim, krah për krah, si gjithmone..!
Nder i madh të jem yt bir…!”