Tre të vdekur, pesë të plagosur rëndë dhe katër të zhdukur, ky është bilanci i një shpërthimi tragjik në një hidrocentral në liqenin Suviana në veri të Italisë.
Shpërthimi ndodhi të martën pasdite, teksa punëtorët po kryenin punë mirëmbajtjeje në impiantin i cili daton në vitet 1970 dhe menaxhohet nga kompania italiane e energjisë Enel.
Sipas rikonstruksioneve fillestare, një turbinë e termocentralit shpërtheu në katin -8 dhe shembja dëmtoi të paktën 12 teknikë nga kompani të jashtme të pranishëm në terren për disa punime mirëmbajtjeje.
Shpërthimi i madh u ndje edhe nga një distancë e largët dhe dëshmitarët e tronditur thanë:
“Ne dëgjuam një zhurmë të madhe , më pas ajri u bë i padurueshëm”.
Kërkimi për katër personat e zhdukur vijon pa pushim, mes rrënojave dhe nën ujë. Pesë punëtorë u shtruan në spital dhe tre prej tyre janë me lëndime të rënda.
Hetimet pritet të nisin për zbardhjen e shkakut që shkaktoi një zjarr në termocentral dhe shembjen e një tavani dhe përmbytje në thellësi deri në 40 metra, duke i bërë përpjekjet e shpëtimit të komplikuara dhe të rrezikshme.
Fatkeqësia ka rindezur një debat në Itali për vdekjet në vendin e punës dhe vjen përpara një dite grevash dhe protestash që synojnë nxjerrjen në pah të çështjeve që përfshijnë sigurinë në vendin e punës.