Tre grabitës kanë hyrë në argjendarinë e njohur “Piaget” në Paris dhe kanë marrë nën kërcënimin e armës bizhuteri me vlerë 15 milionë euro.
Grabitja, në lagjen e dytë të Parisit, ndodhi pasditen e sotme teksa klientët ndodheshin brenda argjendarisë. Madje, autorët nuk kanë hezituar të kërcënojnë punonjësit për të vjedhur bizhuteritë me vlerë.
“Të gjithë u shtrinë përtokë dhe grabitësit më pas detyruan një punonjës të stafit të hapte vitrinat dhe një bagazh ku mbahen disa nga bizhuteritë më të shtrenjta. Pasi u morën bizhuteritë, grabitësit u larguan në këmbë , tha një burim i cituar nga Daily Mail.
Sipas informacioneve, nuk ka të lënduar, ndërsa vlera e sendeve të vjedhura llogaritet nga 10 deri në 15 milionë euro. Prokuroria e Parisit po heton për “grabitje nga një bandë e armatosur”.