Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Durrësit.
Bëhet fjalë për Artur Jangozi, Arolt Jangozi dhe Ridvan Kapllani. Policia njofton se tre të arrestuarit shisnin lëndë narkotike në shkolla dhe lokale nate.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar të koduar “Tempulli” dhe në Paketën për Sigurinë në shkolla, si dhe si rezultat i një hetimi të ndjekur për rreth 2 muaj, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për të provuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve, të cilët të organizuar si grup, siguronin dhe shitnin doza të lëndës narkotike cannabis sativa, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Grupi”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasit A. J., 50 vjeç dhe A. J., 24 vjeç, babë e bir, të dy banues në Fushë Krujë, dhe shtetasin R. K., 27 vjeç, banues në Krujë, si dhe identifikuan dhe shpallën në kërkim një tjetër shtetas, pjesëtar të këtij grupi.
Gjithashtu, gjetën 5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, të gatshme për t’u ndarë në doza, me qëllim shitjen nga këta shtetas, në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet, tre celularë dhe 400 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave.
Vijon puna për ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë grup.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë , për veprime të mëtejshme.