Një akuzë e re është ngritur për 38-vjeçarin shqiptar Izbi Çaushi, i cili ndodhet në paraburgim në “Koridhalos”, pasi akuzohet si autor i vrasjes në 20 janar 2023 të një 47 vjeçari grek në Kalamata. Ngjarja ndodhi për shkak të konflikteve për drogën, ndërsa bashkë me Çaushin u arrestua edhe Aleksandër Koto, 22 vjeç.
Ditët e fundit policia greke ka zbuluar se pavarësisht se ndodhet në burg, Çaushi ka vazhduar tregtinë e kokainës. Ai bashkëpunonte me gruan e tij dhe një 42 vjeçar grek nga Kalamata.
Gjatë kontrollit të banesës së bashkëshortes së tij në Thouria, në një çantë shpine u gjetën 97,9 gramë kokainë të ndara në tre pako, 1 peshore dhe 700 euro, ndërsa në banesën e grekut në Kalamata u gjetën dhe sekuestruan 16 gram kokainë ndërkohë që u sekuestruan edhe 500 euro.
Sipas policisë, greku furnizohej me kokainë nga bashkëshortja e Izbi Çaushit, e cila vepronte nën urdhrat e këtij të fundit nga burgu.