Emisioni Fiks Fare solli mënyrën sesi mund të pajisesh me dëshmi përdorimi arme pa ditur t’a përdorësh atë, por kundrejt pagesës prej 10 mijë lekëve.
Arms School Akademi është akademia ku aplikanti shkon dhe bën kursin po ashtu merret në provim nga punonjës të shtetit . Emisioni investigativ solli të gjithë procedurën nga aplikimi për t’u pajisur me dëshmi deri në marrjen e saj në dorë.
Të gjithë procedurën e mori përsipër ta bënte një punonjës i Pelikani Security, i prezantuar dhe si punonjës shteti, i cili që në takimin e parë merr përsipër të pajisë me dëshmi një vajzë pa vajtur asnjë ditë në kurs dhe pa ditur t’a përdorë armën. Myslym Gardhi është personi i prezantuar që në takimin e parë si mësimdhënës dhe person që mund të japi dëshminë vetëm duke shkarravitur fletën e provimit.
Fiksi solli me zë dhe figurë dhënien e parave z.Gardhit dhe zotimin shumë herë të tij për të dhënë dokumentin e kërkuar. Paratë i mori po ky person me arsyetimin se do t’i depozitonte në arkë.
Emisioni Fiks Fare përgatiti të gjithë dosjen e dokumenteve të aplikantes dhe po ashtu solli biseda me persona të tjerë të cilët e kanë marrë këtë dëshmi po te Pelikani dhe kundrejt pagesës, pa vajtur në kurs dhe pa bërë asnjë provë për përdorimin e armës së zjarrit.
Ndërkohë që të gjitha procedurat e para ishin dorëzim dokumentesh, momenti final ai i testimit me shkrim do monitorohej nga një punonjës shteti.
Ky i fundit u fut në sallën e provimit pasi punonjësi i kompanisë private plotësoi provimin e bashkëpunëtores së Fiksit.
Kështu në fund të provimit vajza mori dëshminë. Një dëshmi në të cilën shkruhet se personi është i aftë të përdori armë zjarri. Në bazë të ligjit të cituar 74/2014 në këtë dëshmi hyjnë armë të kategorisë “B” , “C” dhe “D” pra që nga predhat te pistoleta.