Pensionistët shqiptarë dhe qytetarët që trajtohen me ndihmë ekonomike, pagesë paaftësie, pagesa e papunësie, asistencë sociale, por edhe për ish-të përndjekurit e ish-pronarët duket se do të marrin një lajmë shumë të mirë për dy vitet e ardhshme pra për 2024 dhe 2025, pasi qeveria pritet që t’i indeksojë ata. Më konkretisht Këshilli i Ministrave miratoi këtë fundjavë projektbuxhetin për vitin 2024, ndërsa ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete ka prezantuar në një dalje për mediat projektbuxhetin, ku u shpreh se do të financohet dhe indeksimi i pensioneve. Ministri u shpreh se do të vijojë mbështetja dhe për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për ta. Në këtë skemë përfshihen pensione, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë, pagesa e papunësisë, asistenca sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj”. “Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj”, deklaroi ministri Mete. Më poshtë po pasqyrojmë fjalën e plotë të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili bardh detaje nga plani i qeverisë.
Ja fjala e plotë e ministrit Mete
Rritja ekonomike
Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Projektbuxhetin 2024, i cili vendos një nivel të ri lidhur me planifikimin e shpenzimeve publike që tejkalojnë 7 miliardë euro. Projektbuxheti mbështet zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale, duke synuar në të njëjtën kohë balancën e duhur të ekuilibrave makroekonomikë dhe fiskalë. Siç vlerësoi sot edhe FMN, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, duke hyrë tashmë në një fazë te re. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Në projeksionet tona, ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm, një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit. Ambicja jonë është që siç kemi qenë një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, të synojmë të jemi një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit, duke synuar në të njëjtën kohë të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon.
Projektbuxheti 2024 i përgjigjet kësaj ambicieje
1. Duke mbështetur rritjen e pagave dhe duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.
2. Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.
3. Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.
4. Projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ.
5. Respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë.
6. Rritet ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qendrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë.
Paketa fiskale dhe akciza
Sa i përket paketës fiskale, edhe për shkak të interesit nga ana juaj, ju informoj se nuk do të ketë prekje të TVSH-së në sektorin e arsimit dhe në shërbimet financiare dhe këtë e kemi diskutuar edhe me FMN-në, me të cilët kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me fokus kryesisht përmirësimin e administrimit fiskal. Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, në vlerësimin tonë, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë. Ndaj propozojmë vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite. Gjithashtu, në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri. Më tej, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eliminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë. Me miratimin në Këshillin e Ministrave, projektbuxheti 2024 dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen një faze të gjerë diskutimesh në komisionet parlamentare, ndaj do të kemi kohë dhe për të adresuar pyetjet që mund të lindin, si nga ana e mediave, por edhe nga ana e deputetëve, qytetarëve apo grupeve të interesit.