Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha “i ka mbyllur derën” e bashkëpunimit Ilir Metës, i cili u shpreh se nuk ka asnjë mundësi bashkëpunimi me Partinë e Lirisë. Teksa ishte i ftuara dje në një media, Basha theksoi se edhe me Rithemelimin, sigurisht që nuk ka asnjë mundësi për aleancë. “Sot jemi në bashkëpunim për gjëra si do të votohet dhe për qëndrimin ndaj drejtësisë. Këtu ndarja është ndaj kastës së vjetër që duan ta mbysin drejtësinë dhe pjesës tjetër që duan të triumfojë drejtësia.
Hapi i parë është kjo tryezë dialogu. Disa prej të pranishmëve synojnë që të marrin formën e një koalicioni politik, ku çdo aktor do shohë vendin e vetë dhe kuadrin e PD si parti e qendrës së djathtë”, deklaroi Basha. I pyetur se përse hidhen akuza në distancë me Metën dhe Kryemadhin, kryedemokrati Basha u shpreh se marrëdhënia me PL ishte me shumë dëme për PD dhe demokratët.
“Atë që kam thënë e di çdokush. Nuk humbas kohë me akuza. Sa kohë mendojnë të kthejnë bataretë e gënjeshtrave ndaj PD-së do iu kthehen. Ka qenë një koalicion politik i diktuar nga rrethanat e 2017. Nuk ka qenë asnjëherë marrëdhënie e çliruar nga mosbesimi. Ishte një marrëdhënie me shumë dëme për PD, demokratët. Përjashtoj çdo bashkëpunim të ardhshëm me LSI në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh kreu i PD. Më tej kryedemokrati Basha u ndal tek lëvizjet e Rithemelimit.
“Obsesioni që bashkëpunimi do ndodh prej 40, 60 apo 100 individësh është i gabuar. Hesapi bëhet me votuesin shqiptar. Raporti ynë është me demokratët, me ata që duan ndryshim. Kjo përcakton çdo raport. Të tjerat janë përpëlitje. Rrahin ujin në hava. Kjo lëvizje dëmtoi PD, i dhuroi Edi Ramës një fitore të papërtypshme. Synoi të zëvendësoi PD si forcë opozitare me LSI-në”, nënvizoi kreu i PD zyrtare, Lulzim Basha.