Opinionistja dhe aktivistja Zhaklin Lekatari komentoi statusin e saj i cili ngjall bedat se shumica e fëmijëve në Shqipëri lindin për interes, status, nevojë, frikë, por jo dashuri.
Ajo tregoi se shumë nëna i kanë shkruar për t’i thënë se s’mund të flasë për këtë temë, pasi s’mund ta kuptojë dashurinë prindërore, gjë që e ka tronditur, pasi sipas saj mjafton të jesh njerëzor për ta kuptuar dashurinë, pa pasur nevojë të riprodhohesh.
“Kur shoh njerëzit rreth meje dhe mënyrën se si zhvillohet nga ana shoqërore dhe nga ana emocionale shoqëria jonë, patjetër që trishtohem dhe pyes veten, përpos një shoqërie që bërthamën e saj nuk e ka te dashuria, patjetër që nuk do zhvillojë dashuri dhe nuk do të dhurojë dashuri. Një shoqëri e cila komunikon përmes dhunës, mallkimit, poshtërimit, a mund të prodhojë dashuri?” – u shpreh Lekatari.
Ajo kujtoi protestat që bëhen, duke përmendur këtu protestën për 3-vjeçaren e dhunuar në kopsht, duke thënë se është absurde që shoqëria kërkon dhunën ndaj edukatores, para zgjidhjes reale të problemit. Në këto kushte, Lekatari shton se e ka të pamundur të mendojë që jeton në një shoqëri që e dashuron jetën.