Shkruan Sokol Pepushaj
Sali Berishës po i mbarojnë orët. Me “Foltoren” që ja sponsorizojnë Edi Rama, Ilir Meta, bizneset e krimit dhe antiamerikanët, ai e ka vonuar disi kapjen e “Peshqve” të Mëdhenj.
Ç’po ndodh këtë tetor?
Hajdutë ka plot. Edhe akuza ka plot. Burgu ka hapur portat. Mbi çdonjërin është gati një dosje, një palë pizhame burgu, një rrugë e gjatë, e drejtë, e bekuar, për larje mëkatesh. Një vjeshtë që premton “Peshk”
Për t’i ofruar njerëzisë drejtësi, u votuan 30 vjet këta që sot duhet të shkojnë për veten tek drejtësia.
Asgjë s’ka ndryshuar. Edhe kur u votuan ata, edhe kur u rrëzuan ata, të njëjtën gjë kërkuan njerëzia, rrugën për në Europë.
Se, ta themi, janë rrëzuar politika e pushteti, qysh se janë zënë duke vjedhur.
Ajo që duhet theksuar është, se sa pak kërkojnë këta njerëz; më kthe gjënë time zotni hajdut. Kaq! Sa për rrugëtim, ani, aty ku ishin në vitin 1990, aty janë. Do kërkojnë atë rrugë si atëherë, me Amerikën që u prin.
Si po zhvillohen ngjarjet e kësaj vjeshte?
Sa herë ambasadorja Yuri Kim përdor togfjalëshin “Peshqit do të kapen”, Arben Kraja ja merr ison asaj “këngës” së Adriatik Llallës, “do të ketë arrestime VIP” në vjeshtë.
Tre vjeshtat e Krajës ikën si njëra- tjetra. Tashmë do të zëvendësohet. Do vijë një tjetër. Këtë herë do të gjejmë, në mos Dermanin, të paktën Altin Dumanin. Nëjse, fljalë janë!
Po ç‘bëri Arben Kraja?
Asgjë, përveçse në pastë çelur ndonjë “vrimë” përtej Malit të Krajës, që të fshihet si paraardhësi i tij, Adriatik Llalla.
A ka hajdutë gati për burg?
Ka me shumicë. U shihen kudo milionat, pasuritë, jetesa luksoze. Pritshmëritë e para janë për ‘non-grata’-t, që janë më shumë se dihen.
Strukturat e SPAK-ut kanë informacionin e nevojshëm se sa shumë e shumë ‘non-grata’ janë në Shqipëri.
Ata kanë dosje për Ilir Metën, Arben Ahmetajn, Fatmir Mediun, Edi dhe Olsi Ramën, Shkëlzen dhe Argita Berishën, Bashkim Dedjan, Ilir Beqajn, Belinda Ballukun, Bledi Çuçin, Arben Imamin, Genc Rrulin, Erion Veliajn e deri për kryeministrin e parë pluralist Aleksandër Meksi, që nga hiçi, sot është multimilioner. Këto janë pritshmëritë!
Po ç’bën SPAK-u atëherë?
Këtu është “ngërçi” i këtij institucioni. SPAK-u është Arben Kraja dhe Arben Kraja është SPAK-u. Ende nuk ka “vdekur” kulti i individit. Prandaj dosjet bëhen pirg e “Peshqit” nuk dalin nga fletët e tyre, prandaj të gjithë bëjnë atë që s’duhet bërë. Shtiren sikur punojnë.
Berisha dhe Rama prijnë si mashtrues.
Doktori tërheq vëmendjen me një tip “vallëzimi” të anëve të Ramës, si me thënë “Ra Faja prej fikut”. Pra, ra Lulzim Basha e do marr PD-në, ra ambasadorja Yuri Kim se s’ka dosje, ra Edi Rama se s’ka qeverisje.
Kështu, me të ngrirë e shkrirë “ujrat” e Peshqve”, u heq trurin shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
Piktori largon vëmendjen me të njëjtën “melodi”, me një tip “vallëzim” të nahijes së Berishës, si me thënë, ja merr një “valleje” epike, me “shpata”. Hap krahët si Rexhep Çeliku, bën sikur po fluturon përmbi Parlament, dhe fap, zgërdhihet me ironinë e një sheiku. Ngre grushtin lart si Flamur Noka dhe thotë se po lëshon dy satelitë në Orbitë.
Kështu, me të ngrirë e shkrirë “ujrat” e Peshqve”, u heq trurin shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
Të dy pra, Rama dhe Berisha “gjuajnë” të njëjtin objektiv. Fuqizojnë “Foltoren”. Se po, “Foltorja” do shumë financa e milet. Asgjë nuk i mungon Saliut. E prapë, askush nuk lëshon një zë..
Nga vijnë ato para?
Jo vetëm që hesht media, por edhe e pompon sa mundet.
Por sa do durojë kjo fryrje? Pra sa dinakëri zë brenda “barku” i këtij “Kali Troje”, që synon të mashtrojë Amerikën, bile ta trembë, sikur shqiptarët i duan dhe u shkojnë pas kriminelëve?
Kjo diskutohet sot, sa larg pa u arrestuar, po shkon Berisha.
Doktorit i mbaroi rruga. Edhe të tjerët kanë hyrë në shtegun e vetëm, të drejtësisë. Pasuritë e mëdha u janë bllokuar në fakt, për ca “formalitete”. Kanë të tjera normalisht. Janë milionerë, por në çastet e fundit.
Dokumenti Ekzekutiv i firmosur nga Presidenti i SHBA Joe Biden do të nisë zbatimin këto ditë. Doktori është “Peshku” i Madh. Pas tij, të tjerët kapen shumë lehtë. Dhe ngjarje të mëdha priten.
Po, është vjeshta e fundit e Berishës./Pamfleti