Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e ndodhur pasditen e djeshme në Bathore, ku Agim Hida u qëllua me armë zjarri nga disa persona.
Mësohet se Hida është qëlluar në këmbë nga një prej autorëve, teksa në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja. Hida ka qenë duke pirë kafe në lokalin ku edhe ndodhi ngjarja, kur dy autorët që lëviznin me motor kanë ndaluar ndërsa njëri prej tyre i është afruar afër dhe e ka qëlluar në këmbë.
Autorët dyshohet se e njihnin Agim Hidën dhe e kanë pasur objektivin e qartë pasi dinin edhe lëvizjet e tij, edhe lokalin ku Hida e frekuentonte shpesh.
Identifikimi i autorëve rezulton të jetë i vështirë për grupin hetimor për shkak se ata kanë qenë të dy të maskuar, ku njëri kishte rolin e qitësit dhe tjetri shofer i motorit që më pas përdorën për t’u larguar.
Dyshimet lidhen edhe me të shkuarën e Hidës, pasi vëllai i tij, vite më parë akuzohej se ka vrarë një person në zonën e Yzberishtit. Nuk dihet nëse kjo ngjarje ka lidhje me plagosjen që ndodhi një natë më parë.