Prokuroria e Tiranës ka nisur sot kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepit, i cili u arrestua pak ditë më parë në Stamboll.
Kujtojmë se Dritan Rexhepit, ishte në listën e Interpolit, pasi kërkohet edhe nga Italia që e ka dënuar me mbi 13 vite burg.
Dritan Rexhepi u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë. Rexhepi u shpall në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po ashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Fier e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese, dhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Rexhepi kërkohet po ashtu edhe nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Firence e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.