E pëson keq kryeplaku Kostandin Bica dhe dy inspektorët Ylli Çipi dhe Florec Lufo në Elbasan.
Policia po i heton për shpërdorim detyre pasi, sipas autoriteteve dy inspektorët e pyejeve dhe kryetari i fshatit Seltë, nuk kanë bërë detyrën pasi në zonën e Krastës u gjetën të kultivuara 160 bimët narkotike.
Njoftimi:
ELBASAN
Ndalohen për shpërdorim detyre 2 inspektorë pyjesh dhe kryetari i fshatit ku u gjetën të kultivuara 160 bimë narkotike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Elbasan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në zbatim të urdhrit të prokurorit, kanë ndaluar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit:
Y. Ç., 56 vjeç, me detyrë inspektor pyjesh në zonën e Gjinarit;
F. L., 45 vjeç, me detyrë inspektor pyjesh në zonën e Zavalinës;
K. B., 55 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Seltë.
Hetimi penal ndaj këtyre shtetasve ka nisur në kuadër të veprimeve hetimore të zhvilluara gjatë operacionit policor të koduar “Krasta”, si rezultat i të cilit, më datë 21.06.2023, në një zonë pyjore të fshatit Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 160 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.