Është arrestuar në Turqi, Dritan Rexhepi, i njohur si kreu i një karteli droge me emrin “Kompania Bello” që transportonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës. Në Shqipëri, Rexhepi ishte i shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës dhe trafik droge. Kërkohej edhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe për trafikun e kokainës.
Ministri turk i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya tha se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.
I shtrirë përtokë gjatë arrestimit, bosit të drogës iu gjetën edhe shuma eurosh dhe bizhuteri floriri
Kush është Dritan Rexhepi?
Dritan Rexhepi (me shumë emra) në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit Kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu.
Po kur ka qenë hera e fundit e qëndrimit në Shqipëri e Dritan Rexhepit? Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar më gjeneralitetet Lulzim Murataj, në datën 28.11.2011 dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikëkalimi dhe hyrja e fundit e tij, është në datën 16.11.2013. Të dhënat e pasaportës në emër të Lulzim Murataj, përputhen plotësisht me numrat e pasaportës së personit të arrestuar në Ekuador, me emrin Lulzim Murataj…”.
Në fakt teksa ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në nëntor 2013 nga pika e Kakavijës në Gjirokastër, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në vendlindje, pasi në muajin Gusht të 2014, ai u arrestua në Ekuador pikërisht me emrin false, Lulzim Murataj. Ky dokument tregon se:“…ka rezultuar se në datën 8.08.2014 në kuadër të një operacioni antidrogë “Balance” të zhvilluar në Ekuador, përveç shtetasve ekuadorianë është arrestuar dhe shtetasi shqiptar Lulzim Murataj, lindur Vlorë, posedues i pasaportës me nr.BB 3563478. Nga verfikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”.Dritan Rexhepi akuzohet në Shqipëri se porositi rrëmbimin e Jan Prengës.