Gjykata ka caktuar sot masën e sigurisë për 20-vjeçarin Emilio Zema, i cili disa ditë më parë aksidentoi një turiste në Berat.
I riu është lënë në arrest shtëpie, teksa masa pritet të kryhet në ambientet e Spitalit Rajonal Berat, ku Zema është nën kujdesin e mjekëve, pas plagëve të marra në aksident.
Sipas Gjykatës, 20-vjeçari ka rezultuar se ishte duke qarkulluar me shpejtësi jashtë normave të lejuara, teksa turistja ka rezultuar se i ka prerë rrugën motorit në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës, pa qenë në vijat e bardha. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Aksidenti ndodhi tre ditë më parë në qendër të qytetit, tek Ura Varur. I riu që po lëvizte me motor ka përplasur turisten nga Nepali, e cila po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën, e shoqëruar nga disa turistë të tjerë. Përplasja ka qenë aq e fortë saqë turistja dhe vetë Zema janë përplasur në asfalt, të plagosur rëndë.
Ata janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, ku 20-vjeçari ndodhet ende i shtruar dhe nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të shumta që ka marrë, ndërkohë që turistja 33-vjeçe pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.