Është arrestuar ditën e sotme autori i aksidentit tragjik, të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë.
Policia ka njoftuar se ka arritur të identifikojë dhe ndalojë, 51-vjeçarin, i cili me automjetin e tij tip “Hyundai” përplasi për vdekje një 48-vjeçar që qarkullonte me motor në aksin rrugor “Xarrë-Çukë”.
Pas aksidentit, 51-vjeçari u largua nga vendngjarja, duke e lënë viktimën të vdekur në rrugë.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident me pasojë vdekjen, në aksin rrugor “Xarrë-Çukë”, ju informojmë se u bë identifikimi i shtetasit që humbi jetën, 48 vjeç, si dhe specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin, 51 vjeç, drejtues i automjetit që përplasi motomjetin që drejtonte 48-vjeçari”, thuhet në njoftimin e bluve.
Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë për aksidentin:
Rreth orës 19:10, në aksin rrugor Çukë-Fanar, një automjet tip “Hyundai” me drejtues shtetasin Th. K., 51 vjeç, është përplasur me një motomjet me drejtues një shtetas ende të paidentifikur, i cili si pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për identifikimin e drejtuesit të motomjetit si dhe po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të aksidentit.