Pamjet e kamerave të sigurisë të administruara nga hetuesit në një rreze të gjerë kanë filmuar një automjet me targa sllovene, ditën e atentatit të trefishtë ndaj Brilant Martinajt dhe dy miqve të tij, i cili dyshohet se ka ndjekur të rinjtë dhe më pas ka njoftuar vrasësit për çdo lëvizje. Të hënën e 17 korrikut plotësohet 1 vit nga atentati te Mbikalimi i Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë në vend kushëriri i të zhdukurit Ervis Martinaj, dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Kjo ngjarje, nga ajo ditë ka mbetur e pazbardhur, autorët dhe ata që donin të vdekur Brilant Martinajn dhe shokët e tij kanë mbetur mister. Deri në këtë fazë të hetimit, organi i akuzës akoma nuk ka një përgjigje se kujt i përkiste makina dhe për këtë arsye i janë drejtuar me një letërporosi autoriteteve sllovene për t’i ndihmuar në identifikimin e mjetit në fjalë. Hetuesit interesohen të dinë më shumë në lidhje me makinën, nëse është e vjedhur apo ka hyrë në territorin e vendit tonë në rrugë legale dhe më e rëndësishmja, kujt i përkasin targat që ajo kishte atë ditë.
Ngjarja, edhe pse tashmë po kalon një vit, ka mbetur akoma e pazbardhur, edhe pse hetuesit kanë ngritur dyshime të shumta në emra rivalësh. Shumë u morën në pyetje, por askush nuk u arrestua. Aktualisht mësohet se një grup personash po mbahen në vëzhgim dhe shpresohet se shumë shpejt kjo ngjarje të shkoj drejt zbardhjes përfundimtare.
Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata po lëviznin me automjetin e tyre në dalje të Fushë Krujës me drejtim Thumanën. Sapo u ngjitën në mbikalim, një automjet u afrua nga krahu i kundërt dhe hapi zjarr. Si pasojë e të shtënave të tre vdiqën në vend, ndërsa viktimat u shkrumbuan nga flakët që pushtuan në pak sekonda makinën.
Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe dogjën mjetin e tyre në afërsi të fshatit Larushk, brenda të cilit u gjetën një armë automatike dhe 2 kallashnikovë. Asgjë e vlefshme nuk mbeti në vendin e ngjarjes dhe autorët nuk u identifikuan. Brilant Martinaj, 22 vjeç, ishte kushëri i Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit i zhdukur prej 7 gushtit 2022. Askush nuk di të thotë një përgjigje për fatin e Ervis Martinajt, teksa për pak javë mbushet një vit nga humbja e gjurmëve.