Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ish-ministri është paraqitur edhe më herët këtë javë në SPAK, pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën detyrim paraqitje ndaj tij, me detyrimin që ai duhet të shkojë dy herë në muaj në prokurori, për akuzën shpërdorim detyre. Gjatë javës, BKH ka pyetur në burg dhe ish zv.ministrin e Shëndetësisë dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Hetimi bën fjalë për shkeljet e pretenduara nga SPAK, në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj, tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Beqaj gjithashtu është person nën hetim për çështjen e check -up dhe disa ditë më parë iu kontrollua banesa pasi ka dyshime se ka abuzuar edhe me fondet e SASPAC.
Situata e ish-ministrit të Shëndetësisë, u rëndua gjatë muajit nëntor 2023, pak muaj pasi SPAK mori aprovimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurimit personal, arrest me burg për biznesmenin Ilir Rrapaj. Beqaj vazhdimisht ka deklaruar se vetëm ka kryer detyrën, ndonëse nga ana tjetër SPAK disponon dokumente, nga të cilat dyshon se Beqaj me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka shpërdoruar detyrën.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, duke kërkuar që ndaj tij të kryhet edhe hetim pasuror, madje ka lëshuar indicie se provat e dhëna nga SPAK çojnë në dyshimet se ish-ministri i Shëndetësisë mund të ketë falsifikuar dokumentet dhe ekziston mundësia që të ketë kryer edhe korrupsion.