35-vjeçari, Jetmir Gërbi është arrestuar në Sarandë pasi ishte shpallur në kërkim. Mësohet se 35-vjeçari ishte i dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Në vitin 2020, Gërbi në bashkëpunim me dy persona të tjerë dyshohet se kanë vjedhur me dhunë në një banesë, në fshatin Malçan, një shumë parash dhe një armë gjahu.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”. Kapet nga shërbimet e Stacionit të Policisë Finiq dhe vihet në pranga një 35-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar, i akuzuar për vjedhje me dhunë.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe ato të Stacionit të Policisë Finiq, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i kontrolleve, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Jetmir Gërbi, 35 vjeç, banues në Gjirokastër. 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjthshëm Sarandë e ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas, në vitin 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, të vënë në pranga më parë nga Policia, dyshohet se kanë vjedhur me dhunë në banesën e një shtetasi, në fshatin Malçan, një shumë parash dhe një armë gjahu. Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.