Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin Top Talk në Top Channel për të folur për përgjimet e çështjes Breçani.
Karamuço shprehu frikën se dalja e këtyre përgjimeve mund të sjellë vrasje.
“Në ato përgjime kanë dalë edhe tentativat edhe në bashkëpunim me efektivë të policisë për të shënjestruar dhe për të përgatitur terrenin e të gjitha masat për të vrarë 2 vëllezër. Ata janë vënë në dijeni për këto komplote që janë bërë,” tregoi ai.
“Ky është një proces me disa dosje, ku shihet kush është blerësi, transportuesi, si ndahen në përqindje. E kanë futur të gjithë grupin në një dosje. Nuk janë grup që veprojnë vetëm, duhen parë lidhjet me grupet e tjera.
Kemi një raport të INSTAT që na është rritur importi nga vendet e Amerikës Latine. Gjejnë portet më të dobëta për nga sistemi i sigurisë për të kaluar në vendet e Europës.
Paketimi i përngjan atyre që ne i kemi parë nga kartelet meksikane. Kartelet blenë vetë skaner për të parë se ku kapen e ku jo, blenë dhe një letër speciale që të shmangë kapjen nga skanerët. Këto janë metoda që na kanë bërë më të vështirë për të zbuluar. Tashmë kemi komunitete në Ekuador, Kolumbi, por më së shumti janë në Peru. Në Peru është klani ballkanik. Ai që e blen mallin, dora e parë është në Peru. Jo vetëm ne, edhe serbët, aty jemi më shumë. Ekuadorin e përdorim si dispatcher.
Në Shqipëri më shumë e shohin si oaz për pastrimin e parave.
Ervin Mata më së shumti është shfaqur në publik si biznesmen, ndërtues, edhe pse ka pasur të dhëna nën zë se merrej me aktivitete të paligjshme. Nuk ishte nisur ndonjëherë një hetim për të parë se nga i vinin këto para. Ka një info ende të pakonfirmuar që në juglindje të vendit, ky personazh ose ortaku i këtij, kryenin biznes me vëllain e një ish-politikani shumë të rëndësishëm të Maqedonisë, në mos gaboj me vëllain e Zaevit.
Duhet hetuar se nga vijnë paratë,” tha Karamuço.