Teksa ish-kryeministri Sali Berisha vijon të bëjë rezistencë, Gjykata e Posaçme ka vendosur të marrë masa dhe i ka dërguar një shkresë Kuvendit ku kërkon marrjen në pyetjes së Sali Berishës.
Shkresa është dërguar një ditë më parë dhe është marrë nga protokolli i Kuvendit, ndërsa në të , GJKKO i kërkon Kuvendit të vërë në dijeni deputetin Sali Berisha për vendimin e dhënë nga ana e kësaj gjykate, ai i detyrimit me paraqitje.
“Në zbatim të urdhrit të gjykatës për komunikimin e vendimit Nr.117 datë 26.10.2025, bashkëlidhur ju dërgojmë vendimin me nr. 117, datë 26.10.2023, e Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, që i përket shtetasit Sali Berisha, me objekt marrjen ne pyetje të personit nën hetime me qëllim marrjen në dijeni nga ana juaj”, shkruhet në shkresë.
Ish-kryeministri nuk është paraqitur në gjykatë, pavarësisht vendimit që e detyron të paraqitet dy herë në muaj para një oficeri të GJKKO. Gjykata ka tentuar në disa mënyra t’i dërgojë vendimin, duke e dërguar në shtëpinë e ish-kryeministrit, në selinë e Partisë Demokratike, e po ashtu duke e dërguar me postë megjithatë, Berisha në asnjë rast nuk e ka pranuar.
Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’ dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi është pas hekurave, pasi gjykata mori masën e ‘arrestit me burg’ ndaj tij, po për këtë çështje.