Mediat belge kanë zbuluar detaje të reja lidhur me ekstradimin e Franc Copjas në Belgjikë. Në fakt, ajo që u quajt si ekstradimi i parë i suksesshëm nga Dubai, ishte më shumë një “gafë” e 31 vjecarit Franc Çopja.
Sipas burimeve të mediave belge, Franc Gergely alias Franc Çopja, nuk ka qëndruar në Dubai, por ka qëndruar në një nga Emiratet e tjera. Kjo mund të shpjegojë pse ekstradimi i shqiptarit ishte i suksesshëm. Sepse bashkëpunimi me Dubain është ende shumë i vështirë, pavarësisht marrëveshjes së ekstradimit të vitit 2021. Deri më tani asnjë bos droge nuk është ekstraduar nga Dubai.
“Të thuash se është e vështirë është me të vërtetë një nënvlerësim,” thotë ministri Van Tigchelt. “Por ne gjithashtu vërejmë përparim me autoritetet në lidhje me të dyshuarit që fshihen në Dubai. Dhe ne gjithashtu vazhdojmë t’i gjurmojmë ata kriminelë. Sepse duam rezultate edhe atje.”
Sipas burimeve, Çopja është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe në 14 shtator të këtij viti. Ndërkohë që një i bashkakuzuar me të, Mikael Qosja, i cili është arrestuar më shumë se një vit më parë në Dubai, ende nuk është ekstraduar.