Albert Zorba, 31-vjeçari nga Elbasani, është një nga punëtorët shqiptarë që humbi jetën tragjikisht pas shembjes së skelës nga kati i tetë ku ato po punonin në Hamburg.
Vëllai i të ndjerit Zorba ndodhet i burgosur në Angli, ndërsa i ati i moshuar ka mbërritur në Hamburg. Viktima e dytë e identifikuar është një i ri nga Kukësi me inicialet R.H.
Besohet se numri i shqiptarëve që kanë humbur jetën në skelën që u shemb është pesë, tre shqiptarë të Shqipërisë dhe dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut të gjithë të regjistruar me dokumenta bullgare. Aksidenti i rëndë ndodhi të hënën, por trupi i pajetë i shqiptarit u nxorr nga rrënojat vetëm mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ndodhi në HafenCity dhe mësohet se skela u shemb nga kati i 8-të në një bosht ashensori.
Dyshohet se skela nuk ishte vendosur siç duhet dhe rreth 80 blloqe betonit ishin vendosur mbi të. Blloqet e betonit ishin vendosur në skelat midis katit të tretë dhe të katërt. Fillimisht u raportua se viktimat ishin bullgarë, por policia gjermane sqaroi më vonë se ishin shtetas shqiptarë.