Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me 55-vjeçarin Haxhi Çollaku, i cili ditën e djeshme u vra nga policia në Itali.
Ndaj tij u qëlluan 4 plumba pasi nuk iu bind urdhërit të Policisë, teksa ishte duke përndjekur bashkëshorten e tij, në Padova.
Rreth orës 14:00, Haxhi Çollaku, kishte ndaluar me furgonin e tij poshtë shtëpisë së ish-bashkëshortes me të cilën kishte një histori përndjekjeje dhe dhune. Disa vite më parë madje ndaj 55-vjeçarit ishte firmosur dhe urdhër largimi nga banesa bashkëshortore.
Ndërsa dje, ai kishte shkuar sërish tek banesa edhe pse kishte një urdhër që nuk duhej t’i afrohej. Vajza 12 vjeçe e çiftit, kishte telefonuar policinë për praninë babait të saj poshtë banesës, prandaj një patrullë kishte shkuar në ndihmë. Në momentin e parë kur karabinierët kanë bërë para kanë menduar se do të bashkëpunonte, por kjo nuk ndodhi.
Ai ishte rikthyer në makinën e tij dhe pasi e kishte ndezur, kishte marrë para me të disa nga policët që ndodheshin në rrugë.
Në këtë moment, efektivët kanë hapur zjarr, teksa dy plumba e kapën Çollakun në këmbë dhe dy në gjoks, duke e lënë të vdekur. Ndërkohë, një prej policëve që u përplas nga ai, ndodhet ende në spital, në gjendje të rëndë.
Dikur mësues matematike në Shqipëri, Haxhi Çollaku kishte 20 vite që jetonte në Itali por martesa nuk kishte funksionuar dhe bashkëshortja e kishte denoncuar disa herë për dhunë, marrëdhënie që dje u kthye në tragjedi.