Analisti Arion Sulo tha në studion e Open në Neës24 se Kryeministri Edi Rama nuk ka sesi të paraqitet në Kuvend dhe të flasë për dokumentarin e RAI3, kur ai sulmoi këdo që komentonte apo reagoi ndaj investigimit.
Sulo u shpreh se Rama i ka marrë të gjitha institucionet.
“Gjykatat dhe SPAK duhej të kishin filluar hetimet dhe ky SPAK kaq i zellshëm që heton Berishën të para 15 viteve, nuk heton këtë kriminalizimin e shoqërisë sonë.
Kriminalizimi ecën përpara, unë shikoj një Kryeministër të qetë, që do të thotë nuk po hetohet. Sistemi i Edi Ramës ka kriminalizuar Shqipërinë.
Ky SPAK a nuk e pyeste dot atë biznesmenin që ka marrë licencën e kazinosë se kur e mori, para apo pas takimit me Ramën?
Kryeministri po mban peng edhe logon dhe vulën e opozitës përmes Gjykatës”, tha Sulo.
Ai tha se Edi Rama është i zbuluar me takimet që ka zhvilluar.
Në debat me analistin, eksperti Pano Soko tha se SPAK mund të nisë hetimet, pasi shumë pak ditë kanë kaluar nga ky reportazh.
“Të themi që edhe SPAK-un e kontrollon Edi Rama, atëherë çfarë po i thoni qytetarëve që Kryeministri kontrollon gjithçka. Nëse themi Rama i ka patur të gjitha, atëherë hajde të ikim të gjithë ne, pse duhet të rrimë këtu”, tha Soko.