![](https://dk-news.com/wp-content/uploads/2024/06/rama13_sd-1024x576.jpg)
Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar ditën e sotme për zgjedhjen si eurodeputet të Greqisë së Fredi Belerit.
Teksa ishte duke mbajtur konferencën e tij në Prishtinë, Rama është shprehur se për këtë ngjarje nuk ka asnjë koment, teksa sipas tij së fundmi politika e jashtme është bërë dhe politikë e brendshme.
“Nuk kam asnjë koment për këtë, jam në Prishtinë. Për fat të keq politika e jashtme është bërë politikë e brendshme, një tendencë që thellon më shumë, që mund të sjellë më shumë vota këtu po i bën më shumë dëm Kosovës jashtë.”-u shpreh Edi Rama.
Ndërkohë bëjmë me dije se kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri është në mesin e fituesve nga lista e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Në përfundim të votimeve të së dielës në Greqi për Parlamentin Europian, ai është renditur i katërti, mes 7 emrave që do të përfaqësojnë partinë e kryeministrit grek. Kjo është hera e dytë që zoti Beleri fiton zgjedhje, duke qenë në gjendje arresti.
Zoti Beleri ndodhet në burg në Shqipëri, pasi u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet për blerje votash.