Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin Vorë-Fushë-Krujë.
Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se një automjet tip “Mercedes Benz” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me mbrojtësen metalike anësore. Kjo e fundit ka hyrë në xhamin e përparmë, nga ana e shoferit, duke e ndarë makinën përgjysmë.
Policia ka njoftuar se nga aksidenti i rëndë ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, 23-vjeçari Indrit Mahmuti. I riu mësohet se ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar në Spitalin e Traumës me fraktura në kokë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 pas mesnate në afërsi të fshatit Hasan.
Shkak i aksidentit sipas policisë është shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte 23-vjeçari.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë të riun nga mjeti.