Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja në vijim të bisedës për infeksionet mykotike në duar dhe këmbë, u ndalëm dhe tek era e keqe e këmbëve, nga se shkaktohet ajo dhe si mund t’a largojmë në kushtet e shtëpisë.
“Zakonisht personat që vuajnë nga myku kanë dhe problemin me erën e këmbëve. Por, ka dhe persona që i rrinë këmbët gjithnjë të djersitura apo që kanë një djersitje të përgjithshme trupore e cila shoqërohet me një erë pak të rëndë. Kjo erë e rëndë nënkupton toksina në trupin e tyre të palarguara” thekson Merja.
Për të pastruar organizmin, çaji me kandimer është i mrekullueshëm. Ndërsa në kushte shtëpie mund të marrim një degë të bimës inula helenika, dy degëza rozmarine dhe 1 lugë gjelle rigon. Përgatisim një çaj, të cilin edhe e pijmë rreth 2 gota në ditë, por edhe shpëlajmë këmbët dhe duart ose pjesën e sqetullave ku depozitohet më shumë djersë dhe aromë e rëndë.
“Personat që kanë një djersë të fortë në aromë duhet të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të përpiqen që të bëjnë sa më shumë detokse me bimë që kanë antiosidantë për të larguar toksinat nga trupi dhe në këtë mënyrë gradualisht do të largohet dhe era e pakëndshme. Ndërsa erën e rëndë të këmbëve e largojmë dhe duke bërë larje të herë pas hershme me sodë buke, me uthull molle dhe me kripë. Gjithashtu shumë efikase janë dhe bimët aromatike që kanë vajra esenciale si rozmarina, trumza, rigoni” rekomandon Ylli Merja.