Shënavlashi u trondit mesditën e djeshme nga zbardhja e një krimi të kobshëm! Një 62-vjeçari ishte vrarë nga djali i tij, Esmerald Balla, i cili e qëlloi me armë zjarri.
Enver Balla u gjet 22 ditë pas vdekjes i hedhur në një pus, vendi që i biri vendosi t’i kthente në varr, pasi i mori jetën. Për të fshehur gjurmët ai e deklaroi të humbur, duke thënë para policisë se ishte larguar nga shtëpia me një grua tjetër.
Mirëpo, nga kërkimet intensive dhe pyetja e familjarëve, hetuesit e policisë së Durrësit kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të Enver Ballës. Djali është arrestuar dhe ka pranuar vrasjen e babait, duke thënë se e ka kryer nga gjaknxehtësia pasi pa se ai kishte harxhuar të gjitha kursimet e shtëpisë.
Ky është krimi i dytë që trondit fshatin e Durrësit brenda pak muajsh, duke rikthyer edhe një herë të gjalla kujtimet e një vrasjeje që ende nuk është zbardhur plotësisht. Në Shkurt, opinioni publik u shokua kur tre fëmijët e familjes Meta pranuan se kishin vrarë babanë Pëllumb Meta dhe e kishin groposur trupin në kasollen e lopës. Edhe në këtë rast, njëri nga fëmijët ka shkuar në Policinë e Durrësit dhe ka kallëzuar se babai kishte humbur kontaktet me familjen prej disa ditësh.
Nga hetimet intensive, rezultoi tre fëmijët e kishin vrarë babain në sallon teksa ai flinte dhe e kanë groposur në kasollen e lopës. Më pas, Hysen, Hygerta dhe Amarildo kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin duke tentuar të fshihnin krimin e rëndë në familje, derisa u zbuluan.
Në këtë rast, nuk dihet ende shkaku i krimit dhe fëmijët vijojnë “ping-pongun” për autorësinë.
Këto dy vrasje i kanë “kthyer faqen” fshatit të Shënavlashit, i cili më parë njihej më shumë për “shenjtërinë” e tij. Në këtë fshat, ndodhet manastiri i shenjtorit të krishterë, Shën Vlashit, i njohur nga besimtarët për mrekullitë e tij në shërimin e shumë sëmundjeve. Shën Vlashi ishte mjek, por jo vetëm i trupit, pasi sipas shkrimeve të shenjta ai shkonte dhe më tej, duke shëruar shpirtin.
Por duket se as kjo nuk ka mjaftuar për të shëruar “plagët” e hapura mes anëtarëve të familjeve Balla e Meta, duke bërë që kryetarët e tyre të mbeteshin viktima në duart e fëmijëve.
Një ndër urdhëresat thotë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep!”.
Por duket se për Esmerald Ballën dhe fëmijët e të ndjerit Pëllumb Meta, kjo ishte gjëja më e vështirë për tu zbatuar.