Një moment tronditës ndodhi së fundmi gjatë një koncerti në teatrin e famshëm Irodio, ku këngëtarja greke Marinella humbi ndjenjat teksa po performonte në skenë. Incidenti ndodhi gjatë këngës së saj të tretë, kur ajo papritmas u ndje e pafuqishme dhe humbi ekuilibrin, duke rënë në skenë përpara publikut që mbeti i shokuar.
Pas kësaj, këngëtarja u dërgua menjëherë në spital për të kryer analiza të hollësishme. Sipas raportimeve fillestare të mjekëve, dyshohet se ajo ka pësuar një goditje celebrale dhe gjendja e saj po monitorohet nga afër. Pasi humbi ndjenjat gjatë performancës në skenë, këngëtarja e madhe greke, mbetet ende në gjendje kritike, por klinikisht e qendrueshme. Artistja nuk është operuar dhe as nuk është intubuar. Ajo madje ka folur edhe me të bijën.
Sipas mediave greke 86-vjeçarja po e përballon me humor gjendjen e saj dhe hërë pas here këndon disa nga këngët e saj. “Nuk ka ardhur ende koha ime”-i ka thënë Marinella të bijës në spital. Marinella, emri i vërtetë i së cilës është Kyriaki Papadopoulou, ka lindur në maj të vitit 1938 dhe është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës greke.
Me një karrierë të gjatë prej gati 68 vitesh, ajo ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në muzikën greke, duke publikuar dhjetëra albume që kanë arritur sukses të madh komercial. Marinella ka fituar vendin e saj si një nga artistet më të mëdha të Greqisë. Pas incidentit, koncerti është anuluar, ndërsa fansat dhe dashamirët e saj presin me padurim përditësime për gjendjen shëndetësore të artistes legjendare.