Analisti Milaim Zeka ka treguar për herë të parë prapaskenat e marrëveshjes së Rambujesë që çliroi Kosovën dhe rolin e Ismail Kadaresë në negociata.
I ftuar në rubrikën “Rrethi Katror” i Edi Manushit në Top Channel, Zeka tha se ka organizuar një takim mes shkrimtarit më të madh shqiptar dhe delegacionit të UÇK-së ku në fund Thaçi, Krasniqi dhe Ramë Buja u bindën të firmosnin.
Zeka: Duhet një vit të të tregoj se me çfarë guximi intelektual, Ismail Kadare ka mbrojtur çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Mjafton të them dy fakte. Letra publike e Kadaresë e botuar në gazetën Le Monde që ia drejton presidentit francez Zhak Shirak dhe për shkak të kësaj letre ai ndërpret pushimet pushimet vjetore dhe kthehet në Paris.
E kuptoni se çfarë fuqie marramendëse ka pasur fjala e Ismail Kadaresë? E dyta, Ismail Kadare ka mbajtur një takim sekret me delegacionin e UÇK në Paris në orën 3 të natës në kohën e Rambujesë. Unë kam organizuar takimin dhe ka qenë në fakt Kadare ai që bindi Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Ramë Bujën që të firmosnin dhe doli të nesërmen me një letër publike.