Gazetarja Klodiana Lala, pjesë e panelit të emisionit Top Story në Top Channel përmendi disa prej grupeve kriminale që janë të lidhur me politikanë të vendit.
“Kur filloi që realisht krimi i organizuar të hynte thellë në politikë dhe të diktonte, pikërisht në momentet kur grupet kriminale, kur krimi i organizuar shqiptar arriti në Amerikën Latine dhe u fuqizuan nga ana monetare. Kemi Tiranën, ka pasur grupe që kanë punuar në favor të politikanëve për t’i shpallur ato fitues apo deputetë në parlament apo për t’u dhënë poste që me qëllim të merrnin favore dhe të kishin rrugët e lira, këto janë fakte dhe kam fakte, grupet e Elbasanit janë grupet tipike që kanë hyrë thellë në politikën shqiptare.
Dikur flitej për Arjan Çapjan nga njëra anë dhe Qazim Sejdinin nga ana tjetër. Kur nisi të përfshihej krimi me politikën kur në skenë del dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari dhe Suel Çela, më pas dalin grupime të Erion Alibejt, Hajdar Çopjas, të futur thellë në trafikun e drogës, nga disa grupime që luftonin për territor, nuk po luftohej më për territor, por për influencë në politikë.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Shkodër, nga njëra anë grupimi i Licëve, nga ana tjetër Bajrat, nuk mbetën vetëm në përplasjen mes njëri tjetrit, por arritën të përfshihen në politikë. Grupet e Vlorës janë marrë me zhdukje, me asgjësimin e kundërshtarëve me trafikun e drogës, nën rrogoz kanë influencuar tek politika, nuk flitet shumë për grupet e Fierit, sepse kanë qenë të tërhequrit, nuk janë ekzpozuar se në momentin që ekspozohet është më e lehtë nga autoritetet”, tha Lala.