ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë Andia Xhunga. Ajo është një aktore, dublante dhe regjisore shqiptare në film e në teatër. Momentalisht ajo është regjisore e serialit më të ri që do të nisë të shtunën në ekranin e Top Channel. Seriali “Love Bugs” do të vijë së shpejti në Shqipëri i shqipëruar me emrin “Tenxherja Kapakun”, ku aktorë protagonistë do të jenë Elvana Gjata dhe Romeo Veshaj.
I transmetuar për herë të parë në Kanada në vitin 1997, “Love Bugs” ka mbërthyer para ekranit miliona shikues në më shumë se 30 vende të botës, si Francë, Itali, Greqi, Suedi, Amerikë etj. dhe së fundmi Serbi, ku si në çdo vend tjetër, theu rekorde shikueshmërie në YouTube, me më shumë se 15 milionë shikime. Në fluksin e kësaj pune kaq të madhe, Andia na dha disa detaje kryesore për këtë patentë, përpara premierës së madhe së 5 Tetorit:
Publiku shqiptar pak a shumë është i njohur me këtë patentë. Është patenta “Love Bugs”, që është vënë në 30 vende të ndryshme të botës. Kudo ka patur shumë shikueshmëri. Gjithmonë shumë i ndjekur, por ne e njohim nga Italia 1. Unë jam rritur duke e parë dhe kur më erdhi propozimi që ka qenë një telefonatë në mes të verës. Më merr Dalina Buzi dhe tha ‘pse jo hajde të provosh të bësh regjisoren’. Dalina ka bërë regjinë e tri serive të para dhe nga seria e katërt e tutje jam unë. Ishte një propozim shumë tundues të punoja me Elvanën dhe Romeon, sepse nuk kisha punuar ndonjëherë.
Cila është fabula e këtij seriali?
Protagonistë është çifti. Kemi një çift. Janë dy karaktere shumë të ndryshme dhe shikojmë këtë çiftin në përditshmërinë e tyre. I shikojmë në punë, i shikojmë në palestër, i shikojmë duke bërë pazaret, i shikojmë duke u vizituar tek doktori, i shikojmë tek psikologu dhe ka një veçanti kjo patentë, sepse kjo është one-shot. Është vetëm me një kamerë dhe ti nuk ke 2-3 kamera që pastaj të bësh montazhin nëse bëhet një lapsus e merr nga dubla tjetër. Jo! Nëse këtu bëhet një gabim, duhet përsëritur e gjithë skena nga e para nga fillimi deri në fund.