Drejtësia italiane ka dënuar me 6 vite burgim një shqiptar të akuzuar për grabitjen e vilës së futbollistit argjentinas, Angel Di Maria. Ndërkohë, prokuroria kishte kërkuar dyfishin e këtij dënimi, por Gjykata e Torinos vendosi për një dënim më të ulët për të vetmin të arrestuar në këtë rast, emri i të cilit nuk është publikuar.
Ngjarja ndodhi kur Di Maria ishte lojtar i Juventusit, ndërsa ai dhe shoku i tij i skuadrës, Dushan Vlahovic, ndodheshin në një zonë kodrinore pas Gran Madre, në Torino. Sipas “Corriere della Sera”, shqiptari u arrestua pas një ndjekjeje të gjatë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij nuk u identifikuan.
I pandehuri kishte disa dënime të mëparshme dhe u akuzua për 14 vepra penale, përfshirë një grabitje tjetër të ndodhur disa ditë përpara. Procesi gjyqësor u shoqërua me debate, ku gjyqtarja Angela Rizzo pranoi një nga argumentet e mbrojtjes, duke e riklasifikuar akuzën e tentativës për grabitje si tentativë për vjedhje.
Pavarësisht se shpëtoi nga akuzat për përdorim arme, shqiptari u shpall fajtor për agresion ndaj një zyrtari publik dhe shkaktimin e lëndimeve. Prokuroria kërkonte një dënim prej 12 vjet e 4 muaj burgim.