I ashtuquajturi “Shteti Islamik”, IS mori përgjegjësinë për vrasjet në Solingen.
Në një informim në rrjetin Telegram, IS shkroi se një “ushtar” i tyre kreu një sulm ndaj të krishterëve në Solingen. Ky sulm është “hakmarrje për myslimanët në Palestinë e kudo”. Nuk ka prova që IS qëndron pas sulmit dhe për lidhje mes të arrestuarit, të dyshuar për vrasjet në Solingen.
Ministri i Brendshëm i landit, Renani Veriore-Vestfali, Herbert Reul tha dje, se atentatori i dyshuar iu dorëzua njësisë policore.
Kemi të dyshuarin, që e kërkuam gjatë gjithë ditës, tha Reul në orët e vona të mbrëmjes, sipas Spiegel. Ky person është “në shkallën më të lartë” i dyshuar, tha Reul. Personi i dyshuar për atentatin është siriani Isa H. Veshja e personit të kapur të dyshuar ishte e pistë dhe me gjak. Policia kishte kryer hetime në një strehimore azili gjatë dits.
Sipas Spiegel, Isa H. është 26 vjeç, mysliman sunit, ai ka ardhur në Gjermani në dhjetor 2022 dhe ka bërë kërkesë për azil. Një vit më vonë ai ka marrë statusin e mbrojtjes së përkohshme.
Gjatë së shtunës mediat gjermane njoftuan edhe për arrestimin një 15 vjeçari me lidhje me sulmin. Sipas informacioneve të Spiegel bëhej fjalë për një person nga Kirgistani që jetonte në një strehimore azili. Me gjasa ai ka biseduar me dikë tjetër në festime në Solingen që shihet si personi i dyshuar për sulmin me thikë ku u vranë 3 persona. Kryeprokuroti gjerman, Markus Caspers tha në një konferencë shtypi, se “sipas dëshmive të mbledhura një person deri tani i panjohur, pak para sulmit ka biseduar me djalin e ri, për aktin që e edhe u krye më vonë.
Autoritetet gjermane flasin se dyshimi është për një akt të motivuar terrorist, tha kryeprokurori gjerman, Markus Caspers.
Reagime të tronditura në Gjermani
Në Gjermani pati tronditje të thellë pas sulmit me thikë në një festë në qytetin e Solingenit, ku si pasojë humbën jetën tre persona e u plagosën tetë të tjerë. Solingen donte të festonte 650-vjetorin e themelimit me “Festivalin e Diversitetit”, por ai përfundoi me tmerr.
Kancelari, Olaf Scholz foli të shtunën në mëngjes për herë të parë pas sulmit. “Sulmi në Solingen është një ngjarje e tmerrshme që më trondit shumë. Një vrasës vrau brutalisht disa njerëz”, shkroi ai platfomën X, dhe bisedoi në telefon me kryebashkiakun e Solingenit, Tim Kurzbach. “Ne mbajmë zi për viktimat dhe qëndrojmë pranë të afërmve.” Politikani socialdemokrat iu uroi shërim të shpejtë të plagosurve. “Vrasësi duhet të kapet shpejt dhe të ndëshkohet me ashpërsinë më të plotë të ligjit”, kërkoi Scholz.
Edhe presidenti, Frank-Walter Steinmeier shprehu tronditjen e tij. “Akti i tmerrshëm i Solingen më trondit, na trondit, ai trondit të gjithë vendin”, shkroi presidenti gjerman në platformën X. “Ne mbajmë zi për ata që humbën jetën dhe lutemi për të plagosurit, që me gjithë zemvr iu uroj forcë e shërim të shpejtë.” Steinmeier kërkoi të qëndrojmë të bashkuar kundër urrejtjes dhe dhunës.
“Më thyhet zemra”
Kryeministri landit Renani-Veriore Vestfali, Hendrik Wüst dhe kryetari i bashkisë së Solingen, Tim Kurzbach u shprehën mjaft të tronditur. “Ne të gjithë donim të festonim përvjetorin e qytetit tonë së bashku dhe tani duhet të mbajmë zi për vdekjet dhe të plagosurit. Më thyhet zemra që pati një sulm të tillë në qytetin tonë. Kam lot në sy, kur mendoj për ata që humbëm, lutem për të gjithë ata që ende po luftojnë për jetën e tyre”, shkroi Kurzbach në Facebook.
Edhe zëvendës kancelari Robert Habeck (Të Gjelbërit) e dënoi sulmin në një festival të qytetit në Solingen ku tre persona humbën jetën. Habeck tha të shtunën se “lajme të këqija, më të këqijat” kanë ardhur nga qyteti Solingen. “Dhuna ndaj njerëzve që thjesht donin të festonin me gëzim është thellësisht e dënueshme”, tha Habeck dhe pret nga policia të bëjë gjithçka që mundet për të gjetur autorin sa më shpejt të jetë e mundur.