Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur me “Wizz Air”, duke shtuar një tjetër skandal në historikun e kësaj kompanie. Pas vonesave disa orëshe dhe anulimeve të fluturimeve, tani pasagjerët janë përballur edhe me kërcënime nga punonjësit e kompanisë.
Një qytetare e cila udhëtoi më 17 korrik me linjën e “Wizz Air” nga Genoa në Tiranë ka denoncuar se është kërcënuar nga stafi i kompanisë. Sipas saj, ajo kishte regjistruar një video për të dokumentuar vonesën dhe keqtrajtimin në avion, ku pasagjerët ishin mbajtur “peng” për më shumë se një orë.
Në video, qytetarja tregonte se kompania kishte shitur më shumë bileta se kapaciteti i avionit, duke lënë disa pasagjerë të presin në avion për një orë ose më shumë. Kur cabin crew e identifikoi atë nga videoja, ajo pretendon se ka përjetuar bullizëm dhe keqtrajtimin nga ana e stafit.
Ajo shpjegon se kishte refuzuar të jepte pasaportën për të plotësuar një letër, dhe punonjësit e kishin kërcënuar se do të thërrisnin policinë sapo të zbresin nga avioni.
Qytetarja, e cila ishte në shoqërinë e prindërve dhe një shoqeje, kërkon drejtësi për situatën dhe dëshiron që të mos ndodhin më raste të tilla me qytetarë të tjerë.
Ajo e denoncoi situatën në emisionin “Stop”, duke kërkuar që kompanitë ajrore të respektojnë të drejtat e pasagjerëve dhe të ndalojnë praktikat e tilla të papranueshme.