Në 18 Mars 2024, operatorët doganorë në Vorë konstatuan një pako të dyshimtë që vinte përmes shërbimit postar. Pakoja me peshë 1.6 kilogramë u mor në dorëzim nga mjeti i një poste private. Ajo vinte nga Atlanta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me adresë dërguese “Steve Inglis, 2660 Stroop Hill Road”.
Adresa pritëse në Tiranë ishte rruga “Todi Shkurti”, shtetasi me inicialet E.S. Rezultoi se pesha e kanabisit me THC të lartë ishte 985 gramë. Grupi hetimor organizoi dorëzimin e kontrolluar, duke monitoruar lëvizjet deri tek posta private ku u stacionuan shërbimet që prisnin të paraqitej marrësi. Një ditë më pas, në 19 Mars pritësi i pakos telefonoi dhe i kërkoi postës private dorëzimin në zonën e Institutit.
“Ka rezultuar se është afruar pranë furgonit të shërbimit postar një shtetas i cili prezantohet si nipi i shtetasit E.S., emri i pritësit në dokumentacionin postar. Në momentin që personi që u prezantua më pas me gjeneralitetet Dario Sela filloi të kryente pagesën, policia gjyqësore ka ndërhyrë duke e kapur personin që u identifikua me gjeneralitete të sakta Ilir Sefa, datëlindja 10.10.1996”.
Edhe në këtë rast, qëndrimi i pritësit të lëndës narkotike ishte identik me rastet e tjera. Ai deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me trafikun e drogës, por ishte porositur nga një person i lagjes për të marrë një pako me cigare elektronike. Po ashtu, personi i kishte dërguar foto të kartës së identitetit të dërguesit të lëndës narkotike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pak ditë pas atij operacioni, autoritetet finalizuan një tjetër operacion të ngjashëm duke vënë në pranga shtetasit Skëndër Vata dhe Jurgest Luzi. Skema, ishte e njëjtë përherë. Ata deklaruan se nuk kishin lidhje me drogën, por ishin kontaktuar në rrjetet sociale.