Policia ka dhënë detaje në lidhje me një operacion të zhvilluar një ditë më parë, ku punonjëses së shtetit, Irma Hasani dhe vëllait të saj, Oltion Hasani iu sekuestrua një shumë prej 750 mijë eurosh, që dyshohet se buronin nga veprimtari kriminale.
Policia njofton se nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga Oltion Hasani, i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.
Raportohet se Irma Hasani ishte punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë dhe nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.
Kujtojmw se nga hetimet rezultoi se Irma Hasani, brenda një periudhë një mujore ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish-kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Nga fondet e kredituara në llogari, vlera 160,000 Euro është transferuar nga shtetasja I.H. në llogarinë e noterit me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete.
Megjithatë, nga hetimet rezultoi se këto pasuri janë vendosur në pronësinë e saj, menjëherë p[asi vëllai i saj është arrestuar në Angli, nën kauzë për disa vepra kriminale.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Immediate”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari.
Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”.
Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.
Materialet i kaluan Prokurorisë.