Një 33-vjeçar është arrestuar në aeroporti ne Rinasit, pasi akuzohet për abuzim seksual.
Mësohet se në pranga ka rënë Elton Sina, i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një 11-vjeçare. Sina është vënë në pranga në Rinas, teksa po hynte në vendin tonë.
Ai ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2023, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Ngjarja ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2023, kur e mitura gjatë pushimeve verore kishte shkuar tek halla e saj në fshatin Golem të qytetit të Kavajës, konkretisht bashkëshorten e 33-vjeçarit Elton Sina.
Kohë më parë 33-vjeçari kishte komunikuar me vajzën në Instagram, ku i dërgonte mesazhe të miturës dhe i shprehte simpatinë që ai kishte për të.
Njoftimi i policisë:
Kavajë/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim. I kërkuar për abuzim seksual me një shtetase të mitur, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën policore, se një i kërkuar do të hynte në Shqipëri, nëpërmjet PKK Rinas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, kapën në hyrje, në Rinas, shtetasin E. S., 33 vjeç, banues në Çermë, Lushnjë.
Ky shtetas në vitin 2023, ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Në muajin gusht 2023, dyshohet se shtetasi E. S. ka abuzuar seksualisht me një shtetase të mitur, rast i cili është transmetuar në emisionin investigativ, më datë 13 shtator 2024. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia falënderon gazetarët e emisionit për denoncimin e rastit, si dhe fton ata, median dhe qytetarët që të kallëzojnë çdo paligjshmëri që hasin. Reagimi ndaj autorëve të tyre do të jetë i shpejtë dhe me ashpërsinë e ligjit.