Ka ndërruar jetë në spital 24-vjeçari, i cili u plagos me thikë pasditen e djeshme në fshatin Rajë të Fierzës, në Tropojë.
I riu u dërgua me plagë të rënda në spital por nuk mundi të mbijetojë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në orën 17:00, ku një 40-vjeçar sulmoi me thikë viktimën, vëllain e tij dhe një tjetër person. 40-vjeçari pas krimit u arratis, teksa sot policia ka arritur të arrestojë 5 persona të tjerë, të cilët kanë ndihmuar autorin në kryerjen e krimit, epo ashtu nuk e kanë kallëzuar në polici.
Njoftimi i policisë:
Përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, identifikohen dhe vihen në pranga 5 shtetas.
Ndërkaq, Policia vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas rastit të ndodhur më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, ku për motive të dobëta, shtetasi S. S., 40 vjeç, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllain e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital, u arrestuan shtetasit:
-A. Q., 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-Xh. M., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-A. Sh., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
-A. B., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
-J. K., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, vijojnë hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të secilit prej këtyre shtetasve. 2 të dëmtuarit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve. Gjithashtu, vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasit S. S..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.