Arjanit Maloku dhe Jurgen Kacurri ranë sot në pranga si rezultat i një operacioni ndërkombëtar antidrogë të zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zvicerane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Të dy të arrestuarit ishin pjesëtarë të një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë Italinë.
Hetimet zbuluan se ata pastronin fitimet e paligjshme përmes një rrjeti të shumtë kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë euro.
Gjatë hetimit, janë sekuestruar gjithsej 360 kg kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në një total prej 60 milion euro cash.
Po ashtu, si prova materiale janë konfiskuar 30 mijë euro, 6 mijë paund, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare dhe dokumente të ndryshme, si dhe prova të tjera që ndihmojnë në hetim.