Fredi Beleri ka kërkuar nga burgu që dekreti i firmosur nga presidenti për shpalljen e zgjedhje të pjesshme për Bashkinë e Himarës, më 4 gusht, të pezullohet.
Dekreti u firmos më 5 korrik të këtij viti, ditë kur KQZ deklaroi pavlefshmërinë e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit e cila e dënoi atë me dy vjet burgim, për korrupsion në zgjedhje.
Kërkesa e Plotë:
KËRKUES: Dhionisios Alfred Beleri, i biri i Petros dhe Kasiani, dtl. 09.08.1972, lindur dhe banues në Himarë, me shtetësi Shqiptare dhe Greke, aktualisht duke vuajtur denimin prane IEVP Fier
nr.personal H20809030H.
PERSON I TRETË: Presidenti i Republikës së Shqipërisë
OBJEKTI: Marrjen e masës së sigurimit të padisë. Pezullimi i zbatimit të Dekretit nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
BAZA LIGJORE: -Nenet 3, 4, 86/1, 92/gj, 93, 94, 109/2, 115 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. -neni 10/3 i Ligjit nr. 10019 datë 29.12.2015 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar;
-nenet 3, 4, 11, 21, 44, 66, 108, 110, 129/a të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë”;
-nenet 2, 3, 7/a, 10/1, 11/5, 15/a, 16/2 “a”, 17/c, 18, 21, 28, 29, 30 të Ligjit Nr. 49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
– Vendim nr. 150 datë 16.06.2017 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Përpara: GJYKATËS ADMINISTRATIVE TË SHKALLËS SË PARË TIRANË
E Nderuar Gjykatë!
1
I. Rrethanat e Faktit.
1. Partia “Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut” është një subjekt politik i regjistruar në regjistrin në përputhje me ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”. Me vendimin nr. 178 datë 18.03.2023 të KQZ, paditësi është regjistruar në Zgjedhjet Vendore të datës 14 maj 2023, si pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri, propozuar nga Koalicioni“Bashkë Fitojmë”, është regjistruar si kandidat për Kryetar të Bashkisë Himarë me vendim të KZAZ-së.
2. Me vendimin nr.611 datë 25.05.2023 të KQZ është vendosur dhënia e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, I cili ka rezultuar si kandidati që ka fituar më shumë vota në votimin e drejtëpërdrejtë datë 14.05.2023.
3. Me vendimin nr. 418 datë 13.06.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë është verifikuar mandati i kërkuesit, si Kryetar i Bashkisë Himarë.
4. Rezulton që shtetasi Dhionisios Alfred Beleri është arrestuar në datën 12.05.2023 dhe nga ajo datë ka qënë në masën e sigurimit “arrest në burg”, dhe nuk është lejuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të kryejë ceremoninë e “Betimit”, veprim i cili shërben për fillimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë.
5. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin nr. 14 datë 05.03.2024 ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dhionisios Alfred Beleri fillon nga dita e arrestimit të tij dt.12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.”
6. Pas ankimit të kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin nr.26 datë 25.06.2024 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 14 datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
7. Për vendimet e mësipërme ka dalë Urdhëri për Ekzekutimin e vendimit penal datë 25.06.2024
8. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka filluar një procedurë administrative bazuar në kërkesën me nr. 1719 prot., datë 26.06.2023 të shtetasit z. Eugen Likaj nëpërmjet të cilës kërkohet konstatimi i përfundimit të parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, propozuar nga subjekti zgjedhor koalicioni “Bashkë Fitojmë”,
për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
8.1 Pas procedurës administrative Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 69 datë 05.07.2024 ka vendosur: “Të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri.
2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve.
3. Kundër këtij vendimi mund tё bёhet ankim nё Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga shpallja e tij.”
9. Me shkresën nr. prot 3753 datë 05.07.2024 Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë i është drejtuar institucionit të Presidentit të Republikës në të cilën ndër të tjera shprehet: “Me vendimin nr. 69 datë 5.7.2024 Komisioni Qëndror I Zgjedhjeve, nëpërmjet Komisionerit Shtetëror konstatoi pamundësine e ushtrimit të detyrës nga kryetari i zgjedhur i bashkisë zoti Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe si pasojë ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të bashkisë,
pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Kjo vepër hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie etj. Në lidhje me këtë vendimmarrje kemi marrë njoftim zyrtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit si dhe neni 61 paragrafi i 4 i ligjit nr. 139/2015 “Për vetqeverisjen vendore” ju njoftojmë për krijimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të
pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji.”
10. Rezulton që Presidenti i Republikës me anë të Dekretit nr.244 datë 05.07.2024 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë” ka vendosur: “Caktimin e datës 4 Gusht 2024, për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë.”
11. Ky Akt administrativ individual, do të kundërshtohet nga kërkuesi me Padi drejtuar Gjykatës kompetente, pasi vjen në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, si dhe Kodin e Procedurave Administrative.
12. Para ngritjes së padisë, kërkuesi i drejtohet Gjykatës me kërkesë për sigurimin e padisë, pezullimin e zbatimit të aktit administrative, Dekret i Presidentit të Republikës nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar. II. Legjitimimi i palëve kërkuese
13. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka qënë subjekt zgjedhor në zgjedhjet vendore të zhvilluara në datën 14 maj 2023. Ky fakt provohet me vendimin e 178 datë 18.03.2023 të KQZ-së. Kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, propozuar nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, me vendimin nr.611 datë 25.05.2023 të KQZ i është dhënë mandati i Kryetarit të Bashkisë Himarë pasi ka
rezultuar si kandidati që ka fituar më shumë vota në votimin e drejtëpërdrejtë datë 14.05.2023.
14. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 69 datë 05.07.2024 ka vendosur: “Të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri. 2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 3. Kundër këtij vendimi mund tё bёhet ankim nё Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga shpallja e tij.” Ky vendim është në procesin e ankimimit nga ana e subjektit zgjedhor Koalicionit “Bashkë Fitojmë” si dhe kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, afati I ankimit ka filluar në datën 06.07.2024 dhe përfundon 30 ditë nga kjo datë.
15. Me Dekretin nr.244, datë 05.07.2024, Presidentit të Republikës ka vendosur të caktojë datën 4 gusht 2024 si datë të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Himarë. Ky Dekret është nxjerrë në bazë të neneve 92/gj dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe hyn në fuqi menjëherë.
16. Rezulton që kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri, me cilësinë e Kryetarit të Zgjedhur të Bashkisë Himarë, është përfaqësues i zgjedhësve në Bashkinë Himarë, dhe ka interesa të drejtëpërdrejta në zbatimin e Dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës, bazuar në nenin 3/7 gërma “a” i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”.
16.1 Kjo pasi shtetasi Dhionisios Alfred Beleri mban Mandatin e vlefshëm të Kryetarit të Zgjedhur të Bashkisë Himarë, mandat i fituar në zgjedhjet e datës 14 maj 2023, dhe që aktualisht është i vlefshëm, sa kohë që vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, nr. 69 datë 05.07.2024 me të cilin në të njëjtë kohë, ky organ administrativ shpalli të pavlefshëm Mandatin por shpalli dhe ndërprerjen e parakohshme të tij, është shpallur në datën 05.07.2024, dhe ndaj tij lejohet ankim, dhe si I tillë ky akt është i paekzekutueshëm në kuptim të neneve 133/1 dhe 164/2 të ligjit nr. 44/2015 Kodi I Procedurave Administrative.
16.2 Kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri aktualisht është Kryetar i Zgjedhur i Bashkisë Himarë, cilësi që sipas ligjit do ta mbajë deri në kalimin e afatit 30 ditor të paraqitjes së ankimit kunder vendimit nr. 69 datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ose deri në shpalljen e vendimit që do të shqyrtojë ankimin e tij, kundër vendimit nr. 69 datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në përputhje me nenin 164/2 të ligjit nr. nr. 44/2015 Kodi I Procedurave Administrative.
III. Legjitimimi i palës së interesuar/të paditur
17. Objekt I shqyrtimit gjyqësor do të jetë akti administrative individual Dekret i Presidentit të Republikës nr. 244 datë 05.07.2024. Bazuar në nenet 92/gj, 93, 94 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 3/1 “a”, 4/1 të ligjit nr. 44/2015 Kodi i Procedurave Administrative Presidenti i Republikës, në përmbushje të kompetencave të tij, të përcaktuara në
Kushtetutë dhe në ligjet në zbatim të saj, nxjerr ndër të tjera “dekrete”. Dekreti për shpalljen e zgjedhjeve është akt administrativ individual, sipas edhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në vendimin nr. 150 datë 16.06.2017, në të cilin përcaktohet se kompetenca lëndore për shqyrtimin e ligjshmërisë së Dekreteve të Presidentit të Republikës, përfshirë edhe atë që shpall zgjedhjet, i përket Gjykatës Administrative.
18. Pra, bazuar në sa më lart, i padituri/personi i tretë, është organ i administratës publike, akti i kundërshtuar mund të jetë objekt shqyritmi gjyqësor dhe kompetenca lëndore dhe tokësore për shqyrtimin e pretendimeve në lidhje me këtë lloj akti, i përket Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
IV. Mbështetja në ligj dhe në prova të kërkesës për sigurimin e padisë
19. Bazuar në nenin 28 të ligjit nr. 44/2015 Kodi I Procedurave Administrative, kërkuesi paraqet kërkesë për sigurimin e padisë, para paraqitjes së saj për shkak se, së pari ndodhet në pamundësi të paraqitjes së padisë menjëherë pas shpalljes së dekretit objekt kundërshtimi, dhe së dyti, për shkak të kohës së shkurtër të zbatimit/efekteve të dekretit objekt kundërshtimi, vetëm 30 ditë, nuk është e mundur pritja e rezultatit përfundimtar të gjykimit, duke qënë se ndërkohë
dekreti do t`i kishte sjelle efektet e tij dhe në këtë mënyrë kundërshtimi në gjykatë do të ishte inefektiv. 19.1 Në lidhje me pamundësine e paraqitjes së padisë menjëherë pas shpalljes së Dekretit nr. 244 datë 05.07.2024, vëmë në vëmendje të Gjykatës, që ky dekret është shpallur në datën 05.07.2024, ditën e premte, pas orës 16. Për pasojë kërkuesi, për shkak të mbylljes së organeve shtetërore si rezultat i pushimit të fundjavës, ishte në pamundësi efektive të përpilimit të kërkesës si dhe të depozitimit të saj në gjykatë.
20. Në lidhje me ngutshmërinë e marrjes së masës së sigurimit të padisë, kërkuesi shpjegon se dekreti objekt kundërshtimi i fillon efektet menjëherë. Dekreti ka afat të shkurtër ekzekutimi pra pasojat e ekzekutimit të tij jo vetëm që fillojnë menjëherë, por dhe përfundimi i tyre është i afërt, konkretisht pas 30 ditëve.
21. Në nenin 28 të ligjit nr. 44/2015 Kodi i Procedurave Administrative parashikohet se: “1. Me paraqitjen e padisë, paditësi mund t’i kërkojë gjykatës marrjen e masave të sigurimit të padisë, në rastet kur ai tregon se gjatë kohës së nevojshme të procesit, derisa të arrihet në marrjen e vendimit të themelit, ekziston mundësia e ardhjes së një dëmi të rëndë e të
pariparueshëm, që rrjedh nga ekzekutimi i veprimit administrativ. 2. Kërkesa për sigurimin e padisë, për shkak të rrethanave të çështjes, mund të paraqitet edhe para ngritjes së padisë. Në këto raste, gjykata, kur lejon sigurimin e padisë, cakton edhe një afat, jo më të gjatë se 10 ditë, brenda të cilit duhet të ngrihet padia. 3. Kërkesa për sigurimin e padisë, sipas pikave 1 dhe këtij neni, duhet të shqyrtohetbrenda 5 ditëve nga data e paraqitjes në gjykatë. Si rregull kërkesa shqyrtohet në prani të palëve, por, në raste të ngutshme, mund të shqyrtohet edhe pa u thirrur palët. 4. Vendimi për sigurimin e padisë jepet në çdo fazë dhe shkallë të shqyrtimit gjyqësor, derisa vendimi nuk ka marrë formë të prerë. Në të gjitha rastet gjykata duhet të arsyetojë vendimin e saj. Vendimi jepet nga gjykata, pranë së cilës ndodhet padia.”
22. Bazuar në këtë nen kërkesa për sigurimin e padisë mund të shqyrtohet edhe para ngritjes së padisë, dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka kompetencën lëndore të shqyrtimit të saj, duke qënë se po kjo Gjykatë ka kompetencën lëndore të shqyrtimit të padisë kryesore.
23. Bazuar në nenin 29/a të ligjit nr. 44/2015 Kodi I Procedurave Administrative, ekzistojnë kushtet për marrjen e masës së sigurimit të padisë pasi ekziston dyshimi I arsyeshëm I bazuar në prova për mundësinë e një dëmi të rëndë të pakthyeshëm dhe të atëçastëm për palët, si dhe interesat e subjekteve të përfaqësuar prej tyre. Siç kemi parashtruar në pjesën e rrethanave të faktit, në Bashkinë Himarë, ashtu si në të gjithë Republikën e Shqipërisë janë zhvilluar zgjedhje vendore
në datën 14 maj 2023. Rezultati I atyre zgjedhjeve nuk u kontestua nga asnjë palë. Sipas vendimit të organit të ngarkuar me ligj, fitues në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023 për kryetar bashkie në Bashkinë Himarë rezultoi shtetasi Dhionisios Alfred Beleri. Ky vullnet I votuesve të tij, banorë të bashkisë Himarë nuk u respektua nga Kryeministri, I cili nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, institucion në varësi të tij, nuk lejoi që shtetasi Dhionisios Alfred Beleri të fillonte Mandatin e fituar të Kryetarit të Bashkisë Himarë.
24. Deri në datë 23.03.2024, funksionet e Kryetarit në Bashkinë Himarë janë ushtruar nga kandidati humbës i zgjedhjeve vendosore shtetasi Jorgo Goro, I cili në këtë datë është arrestuar nga SPAK.
25. Pas dorëheqjes së shtetasit Jorgo Goro, të cilit i kishte mabruar mandati një vit më parë, detyrën e Kryetarit të Bashkisë Himarë e ka ushtruar zëvëndës kryetarja e bashkisë Himarë Blerina Bala, e cila ishte e emëruar nga ish-kryetari humbës I zgjedhjeve vendore të datës 14.05.2023.
26. Pas konfliktit me Kryeministrin, nënkryetarja e Bashkisë Himarë, që ushtronte funksionet e Kryetares së kësaj Bashkie, emëron një nënkryetar të Bashkisë Himarë, ndonëse në cilësinë e nënkryetares së Bashkisë Himarë nuk ka kompetencë të emërojë nënkryetarë të tjerë.
27. Pasi emëroi nënkryetar shtetasin Arqile Bollano, edhe nënkryetarja Blerina Bala, e caktuar të ushtronte përkohësisht funksionin e Kryetarit të Bashkisë Himarë, jep dorëheqjen.
28. Këshilli bashkiak cakton të kryejë funksionet e Kryetarit të Bashkisë Himarë, shtetasin Arqile Bollano, I cili ishte emëruar nënkryetar nga nënkryetarja që ishte emëruar nga ish-kryetari që nuk ishte fitues në zgjedhjet vendore.
29. Rezulton nga njoftimi publik i SPAK që shtetasit Jorgo Goro I është komunikuar një masë tjetër sigurimi “arrest në burg”, për shkak se ka shpërdoruar detyrën duke I dhënë tokë në pronësi shtetasit Arqile Bollano, I cili aktualisht ushtron funksionet e Kryetarit të Bashkisë Himarë, I caktuar në këtë detyrë nga një nënkryetare që nuk e kishte këtë kompetencë.
30. Pra, për më shumë se një vit, në Bashkinë Himarë, hyjnë e dalin nënkryetarë të emëruar në mënyrë të paligjshme, dhe vullneti i zgjedhësve nuk është respektuar.
31. Bazuar në nenin 1, 2 të Kushtetutës, në lidhje dhe me nenin 109/2 të saj, bazat e shtetit janë Demokracia, Zgjedhjet e lira, Rendi kushtetues, Pluralizmi, baza të cilat shteti ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.
31.1 Neni 4 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se: 1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. 3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.”.
31.2 Presidenti si organ kushtetues përfaqëson unitetin e kombit, dhe nuk duhet të anojë nga asnjë parti politike.
32. Kërkuesi do të kundërshtojë në gjykatë dekretin e presidentit I cili bën nul zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, duke mohuar të drejtën e banorëve të Bashkisë Himarë të qeverisen nga ai që zgjodhën me votë, por ndërkohë ky Dekret ka filluar efektet. Padia për të provuar pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti do të jetë pa efekte, në rast se nuk pezullohet
zbatimi I tij deri në shqyrtimin e padisë.
33. Padia e paditësit ka mbështetje në ligj, pra pretendimet e tij që do të paraqesi në padi prima facia, janë të bazuara ligjërisht, pasi provohet që Dekreti është nxjerrë në shpërfillje të hapur të procedurës së parashikuar në nenin 10 të Kodit Zgjedhor, si dhe në nenin 115 të Kushtetutës.
34. Sipas Nenit 115 të Kushtetutës kryetari I bashkisë mund të shkarkohet nga Këshilli I Ministrave. Sipas ligjit nr. 138/2015, neni 10 I tij, KQZ verifikon vlefshmërinë e mandatit të kandidatit të zgjedhur, por që nuk e ka marrë detyrën, vetëm mbi bazën e të dhënave të formularit të vetdeklarimit të dorëzuar prej kandidatit përkatës në momentin e kandidimit. Për rrethana të ndodhura pas dorëzimit të këtij formulari, nuk është kompetenca e KQZ për të verifikuar kushtet e zgjedhshmërisë, por e organeve të tjera kushtetuese.
Rasti I kryerjes së një vepre penale pas fitimit të mandatit, është shkak për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë nga Këshilli I Ministrave. KQZ në të njëjtin vendim, ka vendosur edhe pavlefshmërinë e mandatit, edhe ndërprerjen e parakohshme të tij, ndonëse kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri nuk është lejuar ta fillojë ushtrimin e mandatit, pra nuk mund të flitet për ndërprerje të një mandati të pafilluar.
35. Vendimi i KQZ është një akt administrativ i pavlefshëm bazuar në nenin 108 të ligjit 44/2015 Kodi i Procedurave Administrative, pasi organi administrativ ka vepruar në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore që parashikojnë kompetencën e tij, si dhe procedurën e ushtrimit të kompetencave të tij. Si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, Vendimi nr. 69 datë 05.07.2024 I KQZ nuk sjell asnjë pasojë juridike bazuar në nenin 110/1 të Kodit të Procedurave
Administrative, pavarësisht nëse është kundërshtuar ose jo dhe si tillë ai konsiderohet se nuk ekziston.
36. Presidenti i Republikës, të cilit I është paraqitur një kërkesë, nga Këshilli I Ministrave, për ekzekutimin e këtij akti adminstrativ, duhet të kishte konstatuar bazuar në nenin 10/3 të Kodit Zgjedhor nëse vendi I kryetarit të bashkisë Himarë ishte vakant sipas LIGJIT, pasi është Ligji që parashikon kur vendi i kryetarit të bashkisë Himarë bëhet vakant, jo shkresa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.
37. Bazuar në nenin 44 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi I Procedurave Administrative” parashikon se: “1. Kur procedura administrative fillon me kërkesë të palës, organi publik duhet të marrë masat e nevojshme për përgatitjen sa më mirë të çështjes. 2. Organi publik shqyrton paraprakisht kërkesën lidhur me përmbushjen e kritereve formale ligjore, si kompetenca e organit publik, legjitimimi, afati, forma dhe çdo kriter tjetër të parashikuar nga ligji dhe në përfundim: a) njofton palën
kërkuese me shkrim se kërkesa është pranuar për vazhdimin e procedurës; b) njofton palën kërkuese me shkrim për plotësimin e të metave lidhur me plotësimin e kritereve formale ligjore, duke caktuar një afat të arsyeshëm. Në këtë rast organi publik ndihmon në mënyrë active palën për plotësimin e të metave të konstatuara. Mosplotësimi i të metave brenda afatit të caktuar përbën shkak për mospranimin e kërkesës. Kundër këtij vendimi pala mund të ankohet sipas procedurës të parashikuar në këtë Kod; c) njofton palën kërkuese se janë të nevojshme veprime të mëtejshme administrative
para se të vendosë pranimin ose jo të kërkesës. Në këtë rast organi cakton edhe një afat të arsyeshëm për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.”
38. Bazuar në sa më lart, në zbatim të detyrimeve kushtetuese të parashikuara në nenin 94 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 10/3 të Kodit Zgjedhor, Presidenti I Republikës duhet të kishte verifikuar kushtet formale të kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Kërkesa bazuar në nenin 10/3 të Kodit Zgjedhor duhet të ishte shoqëruar me aktin që vërtetonte që vendimi nr. 69 datë 05.07.2024 I KQZ ishte i ekzekutueshëm, në kuptim të neneve 133, 164 të Kodit të Procedurave Administrative, pra që nuk ishte paraqitur ankim brenda afatit të parashikuar në ligj, ose që ankimi ishte shqyrtuar nga organi i caktuar me ligj.
39. Presidenti duhet t`i kishte kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë aktin ligjor apo nënligjor që e bënte të ekzekutueshëm menjëherë vendimin nr. 69 datë 05.07.2024 të KQZ, në mënyrë që të konsideronte “vakant” në kuptim të ligjit vendin e Kryetarit të Bashkisë Himarë.
40. Pasi të kryente verifikimet e mësipërme, pra të përcaktonte nëse sipas LIGJIT vendi I kryetarit të Bashkisë Himarë ishte vakant, brenda 48 orëve nga shpallja e kësaj vakance sipas LIGJIT, jo shkresave të Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, atëherë lindte detyrimi I Presidentit të shpallte zgjedhjet.
41. Mënyra e nxjerrjes së aktit adminstrativ, Dekreti për zgjedhjet në Bashkinë Himarë, nga Presidenti, e ka reduktuar rolin e Presidentit vetëm në një subjekt qe numëron datat, ditët orët, jo vlefshmërinë e akteve dhe kërkesave që i paraqiten për vlerësim, pasi, në çdo rast që Sekretari I Përgjithshëm I Kryeministrisë shpall vakant vendin e kryetarit të bashkisë, Presidenti nuk mund të bëjë tjetër veç të shpalli zgjedhjet duke numëruar nëse është brenda 48 orëve, por nuk mund të verifikojë nese u çmend Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
42. Paditësi/kërkuesi do të kundërshtojë Dekretin e Presidentit nr. 244 datë 05.07.2024 si absolutisht të pavlefshëm, pasi vjen në kundërshtim flagrant me procedurën që parashikon neni 10/3 i Kodit Zgjedhor, nenet 133, 164 e vijues të Kodit të Procedurave Administrative në lidhje me fuqinë e akteve administrative, pezullimin e ekzekutimit të tyre për shkak të ankimit etj, si dhe për faktin se mbështetet në një akt administrativ nga ana e vet absolutisht të pavlefshëm, në vendimin nr. 69 datë 05.07.2024 të KQZ, akt I cili gjithashtu është në shkelje të hapur dhe flagrante të dispozitave ligjore të ligjit nr. 138/2015. që parashikojnë kompetencat si dhe procedurat e verifikimit të kushteve të zgjedhshmërisë së përfaqësuesve vendorë.
43. Dëmi që do t`i vijë paditësit nga ekzekutimi i dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës është i pakthyeshëm, pasi në rast të ekzekutimit të këtij akti, do të zhvillohen zgjedhjet vendore në Bashkinë Himarë, të cilat janë një proces i pakthyeshëm, dhe cënojnë interesat e kërkuesve, si përfaqësues të shumicës së votuesve në atë njësi vendore.
44. Po ashtu nga pezullimi i ekzekutimit të aktit, dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 nuk cënohet rëndë interesi publik. Siç relatuam më lart, bashkia Himarë nuk është qeverisur nga kandidati që u votua më shumë që prej 14 muajsh, pra vullneti i votuesve nuk u pranua të lexohej nga organet qendrore. Po ashtu që prej datës 23.03.2024 kur është arrestuar edhe ish-kryetari I asaj bashkie, rezulton që Bashkia Himarë qeveriset nga nënkryetar të emëruar në shkelje të ligjit, pra interesi
publik, i votuesve të Bashkisë Himarë nuk mund të cënohet më rëndë sesa është cënuar deri tani.
45. Në lidhje me masën e sigurimit të nevojshme për sigurimin e padisë, pezullimi I ekzekutimit të aktit, Dekretit të Presidentit të Republikës nr 244 datë 05.07.2024 deri në shqyrtimin e padisë, është masa e sigurimit më e përshtatshme, e cila garanton interesin publik të votuesve të asaj njësie vendore, të drejtën për ushtruar nëpërmjet Votës në një proces të ligjshëm dhe të lirë votimi sovranitetin e tyre.
Kërkojmë nga Gjykata:
– Pranimin e kërkesës për sigurimin e padisë.
– Marrjen e masës së përkohshme të sigurimit të padisë, Pezullimin e ekzekutimit të aktit
administrative Dekretit nr. 244 datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në
përfundimin e shqyrtimit të padisë.
– Caktimin e një afati 10 ditë për kërkuesit, për paraqitjen e padisë.
KËRKUES
Dhionisios Alfred Beleri
Provat bashkëngjitur padisë:
– Vendimi nr. 178 datë 18.03.2023 të KQZ
– Vendimi nr.611 datë 25.05.2023 të KQZ
– Vendimi nr. 69 datë 05.07.2024 i KQZ
– Dekreti nr. 244 datë 05.07.2024 është akt qe publikohet në Fletore Zyrtare.
– Faktet e referuara ne lidhje me arrestimin e ish-Kryetarit Jorgo Goro dhe qeverisjen e Bashkisë Himarë nga nënkryetarë janë marrë nga burime të hapura, media elektronike, për shkak të kohës së shkurtër nuk janë siguruar.