Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra Prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku.
Rrumbullaku u përball të hënën më 2 shtator me KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha, të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private. Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me bashkë-ortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.
Prokurorja Rrumbullaku pretendoi në seancë, se dhe ajo vetë ka rënë në dijeni të disa veprimeve juridike të bashkëshortit, vetëm një muaj më parë. Ajo tha se i vinte pak inat për situatën e konstatuar, pasi të dy janë jurist. Rrumbullaku pohoi se deklaratat e saj kanë qenë gjithmonë të thjeshta, ndërsa të bashkëshortit të komplikuara, për shkak dhe të veprimtarisë së tij.
Megjithatë, KPK i rrëzoi këto argumente duke e shkarkuar. Rrumbullaku nuk e ka pritur mirë këtë vendim, dhe ka shpërthyer në lot brenda sallës.