Një 38-vjeçar është proceduar penalisht pasi tentoi të fuste nga Greqia në Shqipëri një shumë parash prej 30 mijë euro të padeklaruara.
Sipas policisë, ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit me inicialet G. Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumën e eurove.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, më qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, kamioni tip “Volvo”, me drejtues shtetasin G. Gj.
Gjatë kontrolleve, në kasetën e kabinës së kamionit, u gjetën të fshehura 30 000 euro, të cilat shtetasi G. Gj. synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konfrom ligjeve në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumën e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.