Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 1 vit burgim të deputetit demokrat Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”.
Ky vendim i kushton Salianjit mandatin e tij si deputet dhe të drejtën për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme për pesë vitet e ardhshme.
Pas këtij vendimi, Salianji ka ngritur akuza ndaj gjyqtarëve, duke theksuar se ata janë nën ndikimin e pushtetit të mazhorancës, të drejtuar nga kryeministri Rama, dhe e ka cilësuar dënimin si politik.
Ai përmendi lidhjen e një prej gjyqtarëve, Iliba Bezati, me zv/kryeministren Belinda Balluku, megjithatë rezulton se ato nuk kanë lidhje familjare të afërta.
Një reagim i veçantë erdhi nga Spahiu, i cili shprehu habinë se Salianji burgoset për shpifje, ndërsa figura si Sali Berisha, i akuzuar për krime më të rënda, vazhdon të jetë i lirë.
Ai theksoi se është çudi që gjyqtarët, të cilët vendosën për dënimin e Salianjit, janë ata që në të kaluarën i dhanë vulën e Partisë Demokratike Berishës pas një beteje ligjore të gjatë.
Në vendimin që i riktheu vulën e PD-së Berishës, gjyqtarët Iliba Bezati dhe Elona Toro kishin qenë pjesë e trupës gjykuese që vendosi unanimisht në favor të Sali Berishës, duke lënë të papranueshëm ankimin e Lulzim Bashës. Kjo e vë në dyshim pretendimin e njëanshmërisë në vendimet e tyre.
Iliba Bezati ka kaluar me sukses procesin e Vettingut në KPA, dhe Elona Toro gjithashtu ka kaluar këtë proces, duke e bërë të qartë se ata kanë kaluar kontrollet e nevojshme për të qenë në sistemin e drejtësisë.