Episodi i 12 i podkastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio, projekt i qendrës “Fol” nën mbështetjen e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën Amerikane Tiranë, titullohet “Mundësia e dytë”.
Avokatja Xhoi Nela është e intervistuara e fundit në podkast.
Nisur nga rasti i një gruaje që po përfaqëson, thotë se në dallim nga burrat, gratë vuajnë dy dënime. Edhe të gjykatës, edhe të familjes së bashkëshorteve që nuk u lënë fëmijët.
Anila Hoxha: Avokatja Xhoi Nela do të na shpjegojë nëse është njësoj apo jo burgosja si për burrat dhe për gratë?
Xhoi Nela: Nuk është absolutisht njësoj. Dhe këtu marrë shkas edhe nga rastet që unë kam ndjekur, ku ka rezultuar se përveç burgut që ato kanë kryer, kur kanë dalë pasi kanë mbaruar burgun kanë humbur një pjesë të mirë të jetës së tyre përfshirë edhe fëmijët sepse shpeshherë bashkëshortët nuk i kanë lënë më, që t’i takojnë çka ka bërë që të përfundojnë në dyert e gjykatave dhe të mos harrojmë që gjykatat sot vonojnë me vite për takimin e fëmijëve dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë në fakt një plagë shumë e madhe për to.
Anila Hoxha: Pra, për disa shtetase të cilat janë ndëshkuar dhe janë dënuar nga drejtësia ato janë përballë edhe me një dënim të dytë familjar dhe social për disa krime të caktuara?
Xhoi Nela: Po, kjo është absolute pothuajse, në çdo rast. Sipas mendimit tim duke marrë shkas nga rastet dhe nga statistikat në fakt që kanë dalë unë mendoj që duhet të kemi një post-rehabilitim me qëllim që të kemi një shoqëri jo të kriminalizuar. Dhe këtë gjë mendoj se duhet të jetë një lloj mekanizmi që duhet ta ofrojë shteti me qëllim që të mos kemi kriminalitet të shtuar .
Anila Hoxha:Po pse është ndryshe për burrat?
Xhoi Nela: Anila, për burrat është pak më ndryshe dhe gjej rastin të them se ndoshta këtu gjen vend edhe ajo shprehja që thonë ”burgu është për burra”.
Anila Hoxha: Kjo më ngjan në fakt si diskriminuese për burrat apo ndoshta ata pikasen më shumë për vepra penale ?
Xhoi Nela: Sigurisht që numri është më i madh nga burrat, po themi, që kryejnë vepra penale krahasuar me atë të femrave. Ndërkohë, duket në fakt sikur burrat e përjetojnë pak më keq kur përfshihen në vepra penale që janë kompetencë e SPAK-ut , po themi ose e Gjykatës së Posaçme, krahasuar me gjykatat e zakonshme ose prokuroritë e zakonshme .
Anila Hoxha: Çfarë dmth. kjo ? Pra ju i referoheni rasteve konkrete? Që dmth. burrat e dyshuar, të pandehur, të dënuar apo të paraburgosur e përjetojnë më keq.
Xhoi Nela: E para, për shkak të veprave që klasifikohen si vepra të rënda dhe e dyta për shkak të provave që duket sikur dosja është e kopsitur kur shkon përpara gjykatës. Dhe frika më e madhe është se dënimet që parashikojnë këto vepra janë relativisht dënime shumë të rënda.
Anila Hoxha: Keni ju, një mendim tuajin se sa ndikon një procedim, një hetim, një burgosje, një dënim dhe mbyllja e një dënimi te jeta e një qytetari apo veç kësaj dëmtohet vetëm personi që është proceduar apo dëmtohen edhe personat e bashkëlidhur me të, si familja?
Xhoi Nela: Në fakt pjesa më e madhe e personave që janë , po themi, të përfshirë në një procedim penal për herë të parë janë ato që e përjetojnë emocionalisht pak më rëndshëm së bashku me familjarët e tyre sepse familjarët përfshihen, njësoj si personi që është i paraburgosur në historinë e veprës penale që ka kryer. Ndërkohë, personat që i konsiderojmë recidivistë janë ata, po themi që e marrin pak më lehtëshëm duke qenë se ata e kanë provuar dhe më përpara dhe e kanë përjetuar edhe burgun e një kohe përpara.
Anila Hoxha: Faleminderit.