Leku vijon të qëndrojë i fortë përballë euros, teksa monedha europiane e ka nisur këtë javë me dobësim duke shënuar një nivel të ri.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro po këmbehet aktualisht me 98,7 lekë një rekord i ri i cili nuk është regjistruar me herët. Nëse e krahasojmë nivelin e monedhës europiane me të njëjtën periudhë të një viti më parë, atëherë rezulton se rënia është më shumë se 7%.
Agjentët e tregut valutor theksojnë se euro do qëndroj në këto nivele deri në mes të tetorit. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për blerjen e eurove dhe e monitoron tregun, por kjo nuk e ka ndikuar luhatjen e kursit të këmbimit.
Monedha europiane është dobësuar edhe pse sezoni turistik veror ka mbaruar. Ky është një tregues se turizmi në vend po bëhet gjithëvjetor Po ashtu, në forcimin e lekut ka dhënë efekte edhe rritja e investimeve të huaja, remitancat dhe blerja e pasurive të paluajtshme.
Edhe monedha amerikane ka vijuar që të pësoj një dobësim të ndjeshëm dhe aktualisht qëndron në kufijtë e 88 lekëve.