Personi që shihni në foto, është Xhulio Malo, 26-vjeçari që u arrestua sot si bashkëpunëtor në vrasjen e Elis Rroshkodelit në Shkodër.
Ai akuzohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet e duhura për të kryer vrasjen e Rroshkodolit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash më 30 gusht teksa ishte ulur në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia” në Shkodër. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë organizuar vrasjen e 36-vjeçarit.
Malo është një emër i njohur në policinë, pasi është përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.
I njohur si mbështetës apo fans i Shtetit Islamik ISIS, ai cilësohej edhe si një nga anëtarët e grupit të të rinjve, ish-ushtar i Gate Mahmutajt (i vdekur), në Lazarat. Madje ai është arrestuar i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në atë pritë të 24 Qershorit 2015 në Lazarat, një vit pasi policia kishte marrë nën kontroll fshatin në operacionin antikanabis.
Së bashku me vëllezërit Alban dhe Arbion Aliko, të dyshuar dhe dënuar si organizatorë, si dhe 6 të rinj të tjerë, ata lëshuan breshëri plumbash. Dy efektivë të tjerë u plagosën.
Xhulio Malo u identifikua dhe kap dy ditë më pas. Ai rrëfeu skemën e krimit për hetuesit, duke shpjeguar se autorët ishin vëllezërit Aliko dhe se planin për sulm ndaj policisë e përgatisnin prej 6 muajsh. Malo, në atë kohë vetëm 17 vjeç, u akuzua si personi që siguroi armatimet e grupit. Ai e refuzoi akuzën, por gjithashtu u dyshua se ishte personi që tërhoqi në kurth grupin e specialeve të RENEA-s, pas të shtënave me armë dhe ndjekjes me makinë.
Kur efektivët me makinën jo të blinduar u afruan në kodër, u gjendën në kryqëzim zjarri dhe pa mundësi shpëtimi.
Në një vëzhgim të profilit të tij në Facebook, u gjetën foto të Malos në plantacione hashashi, foto të ISIS në Siri dhe madje foto të tij si përkrahës i tyre dhe me gishtin lart. Malo tha në atë kohë se grupi kishte 15 persona dhe dispononin snajpera dhe armë të rënda.
Pas masës së sigurisë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda më 27 Qershor 2015, Malo iu nënshtrua hetimeve, teksa përfitoi edhe si dëshmitar që ndihmoi Prokurorinë me rrëfimin dhe u dënua vetëm me 10 vite burgim. Pas vuajtjes së izolimit ai ishte liruar, teksa ka rënë përsëri në pranga sot (6 Shtator), në lidhje me një tjetër vrasje, atë të ndodhur në Shkodër më 30 Gusht.